Djali i Jakup Krasniqit: Le t’i lëmë mënjanë dallimet tona politike, duhet të bashkohemi!

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-udhëheqësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka bërë thirrje për bashkim dhe ndjekje të rrugëve ligjore për drejtësi, gjatë protestës së organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në fjalimin e tij, Krasniqi tha se procesi në Hagë nuk duhet të shihet vetëm si çështje ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por si një çështje që, sipas tij, prek historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

“Sot jam këtu para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli dhe si qytetar i Kosovës”, tha ai.

Krasniqi u shpreh se familjarët do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, duke kërkuar që proceset gjyqësore të bazohen në prova dhe të zhvillohen në mënyrë të paanshme.

“Provat duhet të shqyrtohen me paanshmëri, dëshmitë duhet të vlerësohen me drejtësi dhe askush nuk duhet të dënohet mbi bazat e provave të fabrikuara e të manipuluara”, deklaroi ai.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve dhe partive politike që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të bashkohen për atë që e cilësoi si një proces të drejtë dhe të bazuar në prova.

“Le t’i lëmë mënjanë dallimet tona politike! Duhet të bashkohemi dhe të kërkojmë rrugën ligjore që garanton një proces të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në prova të besueshme”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se kundërshtimi ndaj vendimeve duhet të bëhet përmes ligjit dhe argumenteve.

“Duhet të qëndrojmë përsëri në këmbë – jo me urrejtje, jo me hakmarrje, por me argumente, me ligj, me dinjitet dhe unitet!”, u shpreh ai.

Në fund të fjalimit, Krasniqi përmendi emrat e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe bëri thirrje për lirinë e tyre.

“Liri për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën, Pjetër Shalën!”, tha ai. /RTK

Read Previous

​Nis protesta kundër dënimit të çlirimtarëve

Read Next

Gucati: Të shfuqizohet vendimi dënues nga Gjykata Speciale