Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll nis këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së parë.
Tetë skuadrat e elitës së basketbollit kosovar do ta nisin rrugëtimin në sezonin e ri me katër përballje, ku vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Të shtunën, në program janë tri ndeshje. Në ora 17:00, Sigal Prishtina do të përballet me Pejën, ndërsa dy orë më vonë, në ora 19:00, Rahoveci 029 do ta presë Trepçën.
Në ora 20:00, Bora do të jetë nikoqire e Vëllaznimit, në një tjetër përballje të xhiros së parë.
Ndërkohë, xhiroja e parë do të mbyllet të dielën, me ndeshjen mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit, e cila zhvillohet nga ora 17:00.
Të gjitha skuadrat synojnë një start pozitiv në edicionin e ri, ndërsa sfidat e para pritet të sjellin përballje interesante në elitën e basketbollit kosovar. /KosovaPress/