Kërkesë për paraburgim ndaj tre personave për falsifikim të parasë në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë përmes një komunikate të lëshuar për media ka bërë të ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj tre të pandehurve, me inicialet L.Q., H.L., dhe H. Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”, nga neni 296 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se me 20 tetor 2021, në Malishevë, në një këmbimore, tre të pandehurit L.Q., H.L., dhe H. Sh., duke qenë në dijeni se paratë janë të falsifikuara, të njëjtat i vënë në qarkullim në shumën totale prej 1900 dollarë.

I dëmtuari R.B, kishte dyshuar në falsifikimin e parave, duke lajmëruar rastin në polici. Raporti i ekspertimit, i datës 05 nëntor 2021, ka rezultuar që paratë të jenë falsifikim i plotë, dhe pas veprimeve operative nga ana e policisë, është arritur të bëhet identifikimi i të dyshuarve. Të pandehurit, me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 10 nëntor 2021.

Read Previous

Murali që synon promovimin e xhubletës shqiptare 4000 vjet të vjetër

Read Next

Prezantohet matësi i cilësisë së ajrit në komunën e Gjakovës