Fondet prej 2.3 miliardë paund nga shitja e gjigantëve të Premier League, Chelsea, të cilat do të përdoren për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë, mbeten të ngrira në një bankë për shkak të rregullave të Bashkimit Evropian (BE).
Oligarku rus, Roman Abramovich u detyrua të shesë klubin pasi u sanksionua nga qeveria britanike për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Një konsorcium i udhëhequr nga manjati amerikan i biznesit, Todd Boehly më pas mori përsipër blerjen e klubit në maj të vitit të kaluar pasi përfundoi një marrëveshje që mendohej të kishte vlerë 4.25 miliardë paund.
Abramovich thuhet se ka rënë dakord që 2.3 miliardë paund duhet të përdoren për “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë” përmes një fondacioni bamirësie që ai do të krijonte, por ai nuk është i përfshirë në procesin e shpërndarjes.
Fondet mbeten të ngrira kryesisht për shkak se BE-ja ka këmbëngulur që paratë të shpenzohen drejtpërdrejt në Ukrainë, sipas “Daily Telegraph”. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se tani është dakord që paratë duhet të shpenzuar vetëm brenda Ukrainës, pavarësisht se kjo nuk është pjesë e marrëveshjes fillestare për paratë.
Sipas gazetës, fondacioni, i krijuar nga ish-shefi ekzekutiv i Fondit Ndërkombëtar të Emergjencave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, Mike Penrose, ka qenë gati të aplikojë për financimin që nga fundi i vitit të kaluar.
BE-ja u përfshi në këtë proces kur Abramovich nxori një pasaportë portugeze.
Abramovich zotëroi Chelsea-n për 19 vjet dhe pati periudha të mëdha suksesi.
Largimi i tij erdhi pasi ai u akuzua për “lidhje të qarta” me presidentin rus, Vladimir Putin. /Albanianpost.com