Kërcënimi i Trump-it për Grenlandën, reagon kryeministrja e Danimarkës

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i thirri udhëheqësit e bizneseve në një takim të enjten, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, javën e kaluar refuzoi që t’i përjashtonte veprimet ushtarake ose ekonomike për ta marrë nën kontroll Grenlandën.

Trumpi tha se është “nevojë absolute” që Shtetet e Bashkuara ta marrin kontrollin e Grenlandës, territor gjysmautonom i Danimarkës, dhe la të kuptohej se ai do t’i vendoste taksa Danimarkës, nëse shteti evropian e refuzon ofertën e tij për ta blerë ishullin e madh të Arktikut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zonja Frederiksen i tha të mërkurën Trumpit gjatë një telefonate 45-minutëshe se i takon Grenlandës që të vendosë për të ardhmen e vet dhe se Danimarka është e gatshme për të bërë më shumë që të forcohet siguria në Arktik.

Ajo gjithashtu theksoi se kompanitë daneze kontribuojnë në rritje dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe se BE-ja e ShBA-ja kanë interes të përbashkët në tregtinë e rritur.

Lars Fruergaard Jorgensen, shef ekzekutiv i kompanisë “Novo Nordisk”, që i prodhon ilaçet kundër mbipeshës dhe diabetit, do të marrë pjesë në takim, tha kompania të enjten.

Në Danimarkë ndodhen edhe kompani të tjera globale si prodhuesi i birrës “Carlsberg”, prodhuesi i lodrave “Lego”, prodhuesi i bizhuterisë “Pandora” dhe prodhuesi i turbinave të erës “Vestas”.

“Është e rëndësishme që ne të kemi një dialog të mirë dhe konstruktiv me komunitetin biznesor danez. Në kohën e tensioneve gjeopolitike, ne duhet të kërkojmë dialog e bashkëpunim” – tha në një deklaratë ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Danimarkës, Morten Bodskov.

Kjo ministri refuzoi të jepte ndonjë hollësi për takimin ose për atë se kush është ftuar në të.

Pas bisedës së kryeministres daneze me Trumpin, ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, gjithashtu i thirri në një takim për të enjten anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme. /Nacionale

Read Previous

New York Times: Shqipëria i jep dritën jeshile projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit

Read Next

Qeveria mban mbledhje elektronike, merren këto vendime