Qytetarët e Kosovës mund të paguajnë deri në 30 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike nga muaji prill i vitit të ardhshëm.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala.
“Po, është vetëm paralajmërim. Ne nuk mund të vendosim se a do të ketë apo jo. Por, në bazë të vlerësimeve që i kemi bë mund të rritet mbi 30 për qind. Sepse për këtë vendos ZRrE (Zyra e Rregullatorit për Energji”, tha ai.
Nga ZRrE kanë thënë për Sinjalin se çmimet e periudhës së ardhshme tarifore e cila fillon në prillin e 2022-ës do të vlerësohen gjatë shqyrtimit të ardhshëm tarifor.
“Duke qenë se jo gjatë tërë kohës prodhimi vendor arrinë të mbuloj kërkesën për konsum të energjisë elektrike, nevojitet të importohet energji nga vendet e tjera. Duke njohur problemet e mosfunksionimit të kufirit energjetik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i gjithë kapaciteti ndër-kufitar nuk do të jetë i mjaftueshëm për të siguruar importet e nevojshme. Prandaj, duhet pasur parasysh se shfrytëzimi efiçient i energjisë elektrike nga konsumatorët fundor është i domosdoshëm për të mundësuar menaxhimin e kërkesës për energji elektrike në këtë periudhë”, thuhet në përgjigjet e kësaj zyre.
Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë paralajmërojnë se kjo rritje mund të rezultojë nga mungesa e prodhimit vendor dhe ndikimi i çmimeve të tregut, pasi që Kosova varet ende nga importi.
“Sa i përket periudhës së ardhshme, duke marr parasysh planet për remonte kapitale të njësive gjeneruese të TC Kosova B në vitet 2022 dhe 2023, në këtë periudhë parashihet të ketë varësi më të lartë nga importi i cili ka kosto dukshëm më të lartë se furnizimi i energjisë elektrike nga prodhimit vendor. Si rezultat i kësaj në vitet në vijim mund të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike të cilat mund të rezultojnë nga mungesa e prodhimit vendor dhe ndikimi i çmimeve të tregut.”
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Ekonomisë, për të kuptuar nëse Qeveria ka në plan që të marrë ndonjë masë në formë të subvencionimit të qytetarëve, për ta përballuar një rritje të mundshme të çmimit të energjisë, por nuk ka pranuar përgjigje./GazetaSinjali