KDI: Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të pakënaqur me rolin e BE-së në dialog

Hulumtimi i realizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), në Kosovë dhe në Serbi ka rezultuar që dialogu Kosovë-Serbi nuk është duke sjellur rezultate të kënaqshme për asnjërin nga vendet.

Violeta Haxholli nga KDI-ja, ka bërë të ditur se 2 mijë persona janë anketuar në Kosovë e Serbi për këtë sondazh.

Sipas saj, qytetarët e Serbisë janë shfaqur më skeptik ndaj këtij procesi dhe më kritikues ndaj Bashkimit Evropian

“Kërkojmë që qeveria e Kosovës të zhvillojë një dialog me komunitetin serb që t’i integrojë në këtë aspekt. Qytetarët e Serbisë janë më skeptik për këtë Dialog dhe më fajësues ndaj BE-së dhe kemi parë se këta qytetarë nuk po përfitojnë dhe nuk janë të kënaqur me rolin e BE-së dhe janë shumë skeptik për mbylljen e marrëveshjes”, tha Haxholli.

Violeta Haxholli nga KDI-ja.

Sipas rezultateve të anketës, 49 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se pavarësisht dialogut marrëdhënia mes Kosovë e Serbisë ka mbetur e njëjtë, ndërsa kështu mendojnë edhe 56 për qind të serbëve të anketuar.

Po ashtu, 51 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë kanë vlerësuar se nga dialogu po përfitojnë partitë politik.

Ndërsa, 49.7 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë mendojnë se Serbia është përgjegjëse për mungesën e përparimit në dialog, 48.4 për qind e serbëve e shohin përgjegjëse BE-në.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, 54 për qind e qytetarëve të anketuar në Kosovë thonë se e cenon sovranitetin e vendit.

Për rolin e Bashkimit Evropian si lehtësuese e dialogut, mbi 70 për qind e qytetarëve serbë e kosovarë janë të pakënaqur.

Çfarë është dialogu Kosovë-Serbi?

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në politikën e jashtme të BE-së është një nga projektet më të rëndësishme. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç nisën negociatat.

Në prill të vitit 2013, palët arritën marrëveshje dhe e njëjta njihet si “Marrëveshja e Brukselit”, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk kanë gjetur zbatim nga ana e Serbisë.

Ndërkaq Kosova, Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (ASK) nuk po mund ta zbatoj ngase Gjykata Kushtetuese e Kosovës në mendimin e saj kishte gjetur shumë mospërputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutën.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Megjithëse, rajoni thuhet se në një të ardhme do të bëhet pjesë e bllokut evropian, megjithatë ka kritere për pranimin e anëtarëve të rinj në BE.

Prandaj, më 2018, gjatë përpilimit të strategjisë së zgjerimit, u tha qartë se të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, fillimisht duhet të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura që kanë me fqinjët e tyre.

“Politika e zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë të sjellë stabilitet. Prandaj, BE-ja nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe”, thuhet në strategjinë e zgjerimit të BE-së. /Albanianpost.com

Read Previous

Kryetarja e Gjykatës Speciale anulon vizitën në Kosovë

Read Next

Basketbolli, sporti që në qytetin e Gjakovës po gjen interesim të madh