Katër ditë para zbulimit të nominimeve për Oscar, “Variety” ia jep një shtysë “Zgjoit”

Në një seri të re, revista “Variety” bisedon me regjisorët e filmave të përzgjedhur për çmimin e Filmit Ndërkombëtar me metrazh të gjatë për Oscar, për të diskutuar rrugën e tyre drejt çmimeve, çfarë kanë mësuar deri më tani dhe çfarë i ka bërë ata të shfrytëzojnë momentin.

Drama e triumfit-mbi-fatkeqësinë “Zgjoi”, e cila bazohet në një histori të vërtetë, përqendrohet në një grua kosovare, burri i së cilës u zhduk në luftë. Përpjekja e saj për të krijuar një biznes u përball me armiqësi nga burrat në fshatin e saj. Filmi mori çmimet e audiencës, regjisë dhe jurisë së madhe në “Sundance” vitin e kaluar, raporton Zeri.info.

“Variety” ka zhvilluar një bisedë me regjisoren e filmit, Blerta Basholli.

“Variety”: Çfarë do të thotë për ju të jeni në listën e ngushtë për Oscarin më të mirë ndërkombëtar?

Basholli: Do të thotë shumë dhe është një nder në shumë mënyra. Para së gjithash, për shkak të historisë frymëzuese të grave të Krushës, të cilat vendosën të bëjnë diçka për veten dhe fëmijët e tyre dhe e bënë atë; për shkak të të gjithë atyre që punuan shumë dhe vendosën pasionin e tyre në këtë film; dhe për shkak të vendit tonë të bukur të vogël Kosovën. Njerëzit kanë kaluar shumë në këtë vend dhe rrugëtimi i “Zgjoit” po u jep shpresë. Të gjithë, vërtetë të gjithë, janë kaq krenarë për filmin tonë dhe të gjithë po bëjnë tifo për ne në këtë edicion të çmimeve.https://zeri.info/inarticle.html

“Variety”: Cili ka qenë aspekti më sfidues i fushatës suaj deri më tani?

Basholli: Filmi e filloi udhëtimin e tij të bukur virtualisht në “Sundance”, ku theu rekorde dhe bëri histori me tre çmime dhe ndryshoi jetën e “Zgjoit” dhe jetët tona. Dhe për disa muaj vazhdoi të ishte kështu, por ajo që na mungonte ishin shfaqjet fizikisht dhe dëgjimi i reagimeve nga publiku drejtpërdrejt. Unë nuk kam shumë përvojë në fushata, ndaj kisha dyshimet e mia se si mund të bëja këtë proces, por për mua ka qenë e bukur deri tani. Ia dolëm që ta shfaqnim filmin, të bisedojmë me shumë njerëz, të dëgjojmë drejtpërdrejt nga ata se si filmi i preku dhe i frymëzoi ata. Për mua ishte një mënyrë tjetër – një mënyrë e bukur – për ta ndjerë këtë histori edhe një herë.

“Variety”: Edhe pse jeni në listën e ngushtë në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë, kategorisë së çmimit për filmin më të mirë i kanë munguar filmat në gjuhën jo-angleze. “Parasite” (2019) ishte fituesi i parë në histori. A mendoni se zërat ndërkombëtarë janë mbytur në kritikat mediatike dhe filmike?

Basholli: Kur flas për t’u dhënë shpresë njerëzve nga një vend i vogël si Kosova, “Parasite” bëri pikërisht këtë për mua dhe mendoj për të gjithë kineastët ndërkombëtarë. Përveç faktit që “Parasite” është një film i jashtëzakonshëm dhe Bong Joon-Ho është një regjisor brilant, fitorja ndryshoi shumë gjëra dhe mbi të gjitha frymëzoi dhe dha shpresë për shumë prej nesh. Dhe mezi pres që më shumë filma ndërkombëtarë të fitojnë në këtë kategori.

Kur përpiqesh të bësh audiencën konsumatore të shikojë një film ndërkombëtar të metrazhit të gjatë, duket se fokusi bie mbi kohëzgjatjen e një filmi, por kur ndonjë film si “Avengers: Endgame” zgjat tre orë, fansat e “Marvel”-it janë të entuziazmuar dhe thonë se mund ta kishin bërë edhe më të gjatë nëse do të donin. A është e drejtë?

Basholli: Nga këndvështrimi im, kohëzgjatja nuk është diçka që duhet të na flasë dhe të jetë diçka për të përcaktuar se a është tregim i mirë apo jo. Ajo që ka rëndësi është gjithmonë tregimi dhe se si ajo histori i prek njerëzit.

“Variety”: Akademia ka favorizuar vendet evropiane, me Italinë dhe Francën që fitojnë tre herë më shumë se një vend si Japonia. Si mund të inkurajojmë më shumë diversitet nga të gjitha vendet në mbarë botën?

Basholli: Dhoma e Transmetimit e Akademisë është një burim relativisht i ri dhe është një mënyrë e paçmueshme për anëtarët e Akademisë për t’iu qasur me lehtësi filmave nga e gjithë bota. Plus, kur shohim filma si “Parasite” që fitojnë, duket se kjo tregon se e gjithë industria e filmit po bëhet më e larmishme dhe e hapur ndaj filmave të bukur, pavarësisht se nga janë ata.

“Variety”: Ju po përfaqësoni vendin tuaj në një organizëm amerikan çmimesh (megjithëse ka votues që janë ndërkombëtarë). Si ndiheni kur jeni ai përfaqësues?

Basholli: Përgjegjësi e madhe dhe nder. E gjithë Kosova i ka sytë nga ne, plus ne njihemi si njerëz që e duam shumë Amerikën. Amerika e ndihmoi vendin tonë të çlirohej dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë, dhe njerëzit e lidhin përfaqësimin tonë me këtë dhe kanë pritshmëri të mëdha.

Nominimet për “Oscar” do të zbulohen më 8 shkurt. 

/Zëri/

Read Previous

5 anëtarë të një familje humbin jetën brenda një muaji nga COVID në Itali

Read Next

​Kosovës i kërkohet të gjejë zgjidhje për Asociacionin