Kandidatë për zgjedhjet lokale do t’i nënshtrohen verifikimit

Ndonëse zgjedhjet lokale nuk janë shpallur akoma, partitë politike veçse kanë filluar të prezantojnë kandidatët e tyre për kryetar të Komunave apo për Kuvende Komunale.

Mbështetur nga proceset e kaluara zgjedhore, edhe në këto zgjedhje pritet që me mijëra kandidatë të garojnë për pozitën e kryetarit në 38 komuna apo për ndonjë ulëse në ndonjërën nga 38 Kuvendet Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur për KosovaPress se sa i përket certifikimit të kandidatëve që duan të garojnë në këto zgjedhje do të veprojnë njësoj sikurse bën për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke kërkuar verifikimin e kandidatëve në një numër institucionesh.

Ndërkaq, i pyetur se si do të veprojë KQZ-ja lidhur me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore, pra nëse janë të shpallur fajtor për vepër penale me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit, Elezi sqaroi procedurën që do të ndjekë KQZ-ja.

Verifikimi i kandidatëve do të mbetet sfidues për institucionet pasi bëhet fjalë për mijëra persona.

Vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2017, morën pjesë 204 kandidatë në garën për kryetar Komune, ndërsa rreth 6,900 kandidatë për Kuvende Komunale.

Sipas KQZ-së, për dallim nga zgjedhjet e 14 shkurtit të cilat ishin të parakohshme dhe u organizuan në një kohë të shkurtër, zgjedhjet lokale janë të rregullta dhe KQZ-ja do të ketë më shumë kohë për organizimin e tyre. Në këtë rast, sipas KQZ-së, edhe periudha e paraparë për institucionet e tjera do të jetë më e gjatë, por kjo do të vendoset saktë nga KQZ-ja, me miratimin e planit operacional./KosovaPress

Read Previous

Raporti i datës 2 qershor 2021 i spitalit “Isa Grezda”

Read Next

Kina konfirmon rastin e parë të transmetimit te njeriu të gripit të shpendëve H10N3