Kanadaja ka vendosur të heqë taksën e saj ndaj shërbimeve digjitale (DST) për kompanitë amerikane të teknologjisë dhe do të rifillojë bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara, tha ministria e Financave në Kanada, në një deklaratë.
“Kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump kanë rënë dakord të rifillojnë negociatat dhe shpresojnë të arrijnë një marrëveshje deri më 21 korrik”, thuhet në deklaratë.
Kanadaja vendosi të tërheqë DST-në në pritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare me përfitim të ndërsjellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sipas deklaratës.
Trump anuloi të premten bisedimet tregtare me Kanadanë pasi kritikoi ashpër taksën, duke thënë se ishte një sulm i drejtpërdrejtë nga Kanadaja ndaj SHBA-së.
Ai e akuzoi Otavën se po kopjonte Bashkimin Evropian, i cili kishte zbatuar një masë të ngjashme. Trump vuri në dukje se diskutimet me BE-në për këtë çështje ishin duke vazhduar.
SHBA-ja padyshim është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kanadasë.
Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne tha se pezullimi i DST-së së planifikuar do të lejonte progres të konsiderueshëm në negociatat mbi një marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie me SHBA-në.
“DST u njoftua në vitin 2020 pasi shumë kompani të mëdha teknologjike që operojnë në Kanada mund të mos e bënin ndryshe – duke paguar taksat kanadeze mbi të ardhurat e gjeneruara nga kanadezët”, thuhet në deklaratë.
Por, shtoi se Otava gjithmonë ka preferuar një marrëveshje shumëpalëshe mbi taksën. /ATSH-DPA/