Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas do të vizitojë Shqipërinë më 8 prill.
Sipas agjendës të zbardhur nga Brukseli, fillimisht ajo do të zhvillojë takim me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjithashtu takim do të ketë edhe me kryeministrin e vendit Edi Rama dhe dy ministra.
Konkretisht me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Kallas do të marrë pjesë në forumin e dialogut Shqipëri-BE për politikën e sigurinë dhe më pas në ceremoninë e marrëveshjes me Bankën Europiane të Investimeve, thuhet në faqen zyrtare të Komisionit Evropian për kalendarin e punimeve dhe takimeve.
Mësohet se pjesë e turit të saj ballkanik janë edhe vizita në Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinë, ku gjithashtu ka agjendë të ngjeshur.
Kjo do të jetë vizita e parë e saj që nga marrja e detyrës si Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë, Shqipërinë e vizitoi Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos.
Kjo e fundit theksoi se Shqipëria ka ecur me reformat, por se, ka ende punë për të bërë deri në anëtarësimin në BE.
“Unë pata mundësinë që të takohesha me aktorë politikë, mund të them që Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme, po ka ende shumë punë dhe reforma për të bërë. Por në rast se ecet me ritmin që ka qenë deri tani, atëherë patjetër që do të përfundohet gjithçka në 2027″, ka thënë Kos.
Po ashtu ajo ka bërë me dije edhe përpjekjen për vijimin e fondeve.
“Do të përpiqemi që këto fonde të vijojnë në mënyrë që këto projekte të vijojnë punë. Ajo që kam fort për zemër janë ato që kanë të bëjnë me rininë dhe brezat e ardhshëm”. /Albanianpost.com