Kadriu: Prioritet ruajtja e shëndetit nga COVID-19

Fokusi kryesor i shefit të ri në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës(AUV), Flamur Kadriu, në këtë kohë mbetet mbikëqyrja dhe zbatimi i masave anti Covid-19 për uljen e numrit të lartë të vdekurve dhe të infektuarve nga ky virus vdekjeprurës.

Derisa për sektorin e ushqimit në vend, Kadriu thotë se do të jenë të përkushtuar aq sa munden, megjithëse nuk ofron siguri në ushqim 100 përqind për konsumatorët edhe pse tashmë kjo agjenci ka të angazhuar rreth 96 inspektorë, raporton KosovaPress.

Për këtë kryeshefi ekzekutiv i AUV ka kërkuar bashkëpunim edhe me konsumatorët kurdo që hasin në parregullsi me produktet ushqimore.

Kadriu: Fokusi do të jetë në zvogëlimin e rasteve me të vdekur dhe me të infektuar nga Covid-19

“Po si nuk është sfiduese, kjo është një pozitë jashtëzakonisht e koncentruar në shumë veprimtari – sektori i ushqimit donë një përkushtim më të madh… Për momentin fokusi ynë do të jetë zvogëlimi i numrit të të infektuarave, zvogëlimi i numrit të të vdekurve. Kjo është me rëndësi, besoj që do të ishte përgjegjësi e krejt institucioneve, e secilit qytetarë të Republikës së Kosovës që të bëjnë më të mundshmen që të zvogëlojmë numrin e infektimeve dhe numrin e vdekjeve, pastaj me të tjerat do të vazhdojmë gradualisht”, thekson ai.

Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deri më tash ka pasur vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ndërsa atyre u janë bashkëngjitur edhe 85 inspektorë të terrenit.

Masat kanë hyrë në fuqi nga data 30 gusht dhe do të zgjasin deri më 13 shtator, kur bëhet edhe vlerësimi i ri i situatës. Ato përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri 05:00. Gastronomia lejohet të punojë deri në orën 21:30 dhe atë vetëm në hapësira të jashtme, në pajtim me udhëzuesin përkatës.

/KosovaPress/

Read Previous

Kryetari Gjini i pranishëm në stërvitjen operacionale të trupave të KFOR-it

Read Next

Italianët mbështesin pasaportën shëndetësore