Italia riafirmon mbështetjen për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE

Credit: Reuters

Integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një ndër prioritetet kryesore të Italisë.

Kështu të paktën ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, gjatë Ministerialit të mbajtur në Taormina me rastin e 70-vjetorit të Konferencës së Messinës.

“Takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë, sidomos për të dërguar një mesazh të qartë për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE: për Italinë, ribashkimi është përparësi”, ka deklaruar Tajani.

Italia, sipas Tajanit, dëshiron të përshpejtojë procesin e anëtarësimit.

“Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova janë pjesë e këtij vizioni për një prani më të fuqishme evropiane në rajon. Ne duam të përshpejtojmë këtë proces”, ka shtuar ai.

Ndryshe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një fjalim rasti në Takimin Ministror në Taormina, në 70-vjetorin e Konferencës së Messinës, ka deklaruar se e ardhmja evropiane nuk mund të ndërtohet mbi harresë selektive dhe standarde të dyfishta.

“Por, ndërtohet mbi kujtesën, drejtësinë dhe guximin për të qenë e drejtë dhe e barabartë me të gjithë”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Ndër të tjera, Gërvalla ka potencuar se dhuna seksuale u përdor nga Serbia si armë lufte, ndaj grave, burrave e fëmijëve, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë e Kroaci.

E ndërsa viktimat mbeten me plagë të hapura, sipas Gërvallës, autorët e këtyre krimeve enden të lirë në Serbi, jo vetëm të pandëshkuar, por shpesh të shpërblyer me poste e privilegje.

“Ndërsa, institucionet ndërkombëtare të drejtësisë vazhdojnë të heshtin, heshtje kjo që rrezikon përsëritje të historisë”.

Gërvalla gjithashtu ka potencuar se ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por si pjesë e natyrshme e një Evrope që e njeh të kaluarën, mbron të vërtetën dhe ndërton paqe përmes drejtësisë. /Albanianpost.com

Read Previous

​Britania e Madhe, nikoqire e Procesit të Berlinit më 22 tetor

Read Next

Çarshia e Madhe, përplot me objekte e pajisje që bien ndesh me autenticitetin e saj