Ish-kryeministri portugez në gjyq, nën akuzë për pastrim parash dhe falsifikim

Më shumë se 6 vjet nga arrestimi i tij në kuadër të një hetimi për korrupsion, ish-kryeministri i Portugalisë, Jose Socrates do të përballet me gjyqin, por vetëm për akuzat e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumenteve.

Me një vendim që tronditi mbarë vendin, gjyqtari Ivo Rosa, i Gjykatës së Lartë Penale të Portugalisë, hodhi poshtë akuzat për korrupsion ndaj Socrates, për shkak të mungesës së provave.

“Diçka unike ndodhi sot. Të gjitha gënjeshtrat e mëdha të prokurorëve u zhbënë. Do të vazhdoj të luftoj edhe për akuzat e mbetura”, u shpreh Jose Socrates, ish-kryeministër i Portugalisë.

Gjyqtari i çështjes deklaroi se “argumentet e prokurorëve janë bazuar tek spekulimet dhe fantazia”.

Rosa hodhi poshtë edhe akuzat për evazion fiskal që rëndonin ndaj Socrates, i cili do të gjykohet vetëm për pastrimin e 1.7 milionë eurove, falsifikim dokumentesh lidhur me tenderët publikë, si dhe blerjen dhe dhënien me qira të një apartamenti në Paris.

Vetë Socrates ka mohuar çdo shkelje, duke e quajtur hetimin në ngarkim të tij të motivuar politikisht.

Ndërkohë, biznesmeni Carlos Santos Silva, një mik i ish-kryeministër i akuzuar se ka vepruar si ndërmjetës në marrëveshjet, do të përballet gjithashtu me proces gjyqësor.

Read Previous

Real Madrid përgatit “sulmin” për Mbappe

Read Next

Zbuloni çfarë duhet të bëni nëse zgjoheni me dhimbje mesi