Enver Dugolli, ish-i burgosur politik, ka ndarë përvoja të dhimbshme nga periudha e tij në burg, ku u përball me tortura nga shqiptarët e UDB-së.
Në një intervistë në “Debat Plus”, Dugolli ka treguar se arrestimi i tij i dytë ndodhi disa vite pas lirimit të tij të parë dhe ka përshkruar natyrën e dhunës që ka përjetuar.
Ai ka përmendur Isa Bunjakun, të cilin e quan si, “I ziu Isë,” si një nga torturuesit e tij që e “kryente punën e djallit”, por që serbët nuk e besonin plotësisht.
“Isa Bunjaku – i ziu Isa, e kryente punën e djallit por nuk i besonin serbët aspak. Isa më merrte në pyetje, njëudbash shqiptar e dy të tjerë serb, ushtronin dhunë e tmerr ndaj meje, me rend. Kur u lodhën, dolën me cigare dhe e lanë vetën Isë. Ky vazhdoi me pyetje e maltretime. Ata kur u kthyen, Isa doli dhe mua më kontrolluan, më hoqën rrobat dhe nuk kishin besën tek ai. Mendonin mos më kanë dhënë brisk a diçka”, vijoi Dugolli.
Për torturat dhe dhimbjen që i kanë shkaktuar udbashët serbë e shqiptarë së bashku, Dugolli u shpreh se ka ende trauma.
“Shpesh më paraqitet ankth. Mundohna me bërtit, por nuk mundem me bërtit. Është si pasojë e një ankthi që e dëshiroja vdekjen e nuk kisha, dëshiroja diçka e nuk arrija”, ka thënë Dugolli.