Mehdi Taremi rrezikon të largohet nga Interi këtë verë, vetëm një vit pasi iu bashkua klubit si lojtar i lirë nga Porto. Kjo do të thotë se Nerazzurrët mund të vendosin të shesin tre sulmues gjatë merkatos së ardhshme.
Taremi pritet të startojë për Interin në Derby d’Italia kundër Juventusit të dielën, pasi Marcus Thuram dhe Marko Arnautovic mbeten në dyshim për këtë përballje të rëndësishme.
Para transferimit te Interi, sulmuesi iranian ishte një golashënues mjaft i qëndrueshëm në Portugali, por këtë sezon ka realizuar vetëm tre gola në të gjitha garat, me vetëm një gol në 18 paraqitje në Serie A.
Rekordi i tij i golave deri më tani nuk ka qenë bindës dhe, sipas raportimeve në Itali, drejtuesit e klubit nuk janë të bindur për ta mbajtur në skuadër.
Sipas Calciomercato.com, Oaktree, grupi që mori kontrollin e Interit në fund të sezonit 2023-24, nuk është i kënaqur me pagën e tij relativisht të lartë dhe faktin që, në moshën 32-vjeçare, ai nuk ka shumë vlerë në treg për një shitje të ardhshme.
Raporti i së premtes madje pretendon se Oaktree nuk do ta kishte miratuar transferimin e Taremit nëse do të kishte marrë drejtimin e klubit disa javë më herët.
Si rezultat, largimi i tij në verë duket një mundësi reale. Ndërkohë, Nerazzurrët janë gjithashtu të gatshëm të largojnë edhe Marko Arnautovic dhe Joaquin Correa në merkaton e ardhshme./express/