Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, nga sezoni i ardhshëm do të luajë me fanellën e Inter-it.
Zikaltrit kanë arritur marrëveshje me skuadrën e Empol-it për transferimin e mesfushorit kuqezi dhe lëvizja pritet të ndodhë shumë shpejtë.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, Asllani fillimisht do të huazohet tek Inter-i për shumën e 4 milionë eurove, pastaj në fund të sezonit zikatlrit do të kenë opsionin e blerjes edhe për 10 milionë të tjera.
Do të ketë gjithashtu një lojtar që do të kalojë në huazim te Empoli, që besohet të jetë sulmuesi Satriano, 21-vjeçari uruguaian aktualisht i huazuar në Francë me Stade Brest.
Sa i përket marrëveshjes me futbollistin kuqezi, ai do të përfitojë një pagë prej 1.2 milionë euro në sezon, e cila mund të shkojë deri në 2, varësisht prej paraqitjeve të Asllanit.
Kujtojmë që Asllani ishte në formë shumë të mirë te skuadra e Empoli-t, sidomos në gjysmësezonin e dytë.
Ai u shndërrua në një nga titullarët kryesorë në formacionin e trajnerit Aurelio Andreazzoli tek Empoli, i cili vazhdimisht bënte paraqitje të shkëlqyera,
Në garë për transferimin e tij, ishin edhe skuadra e Milan-it dhe Napolit, por Asllani zgjodhi që të transferohej tek Interi.
Zikaltrit e shohin yllin shqiptar si një zëvendësim të kroatit Marcelo Brozovic, i cili është në fund të karrierës.
Kujtojmë që Kristjani është pjesë e akademisë së klubit të Empoli-t, i cili debutoi e fanellën e ekipit të parë në fillim të këtij sezoni.
Talenti 20 vjeçar gjithashtu numëron edhe katër ndeshje zyrtare me kombëtaren kuqezi, i cili debutoi më 26 mars në ndeshjen kundër Spanjës. /Albanianpost.com