Shqipëria pritet të thyejë rekordin që i është dashur një vendi evropian për të çelur grupkapitujt për anëtarësimin në Union. Ambicia dhe synimi i qeverisë shqiptare është që procesi të përmbyllet brenda korrikut.
Prej 1 korrikut deri më 31 dhjetor 2025, presidencën e radhës të Këshillit të BE-së do ta marrë Danimarka.
Burime zyrtare diplomatike konfirmuan për RTSH-në se 4 kapitujt e grupit të katërt që pritet të çelen në ditët në vijim janë Tregu i Brendshëm dhe grupkapitulli tjetër që ka të bëjë me Agjendën e Gjelbër. Shqipëria është gati edhe për 5 kapitujt e fundit dhe kërkesa e ekipit negociator shqiptar do të jetë që procesi të përmbyllet në korrik.
Shqipëria çeli kapitullin e parë të negociatave dhe u ul në tryezë me BE-në në Luksemburg, më 15 tetor 2024, dhe pritet ta përmbyllë krejtësisht procesin e çeljes së grupkapitujve në rreth 9 muaj, duke hyrë në historinë e BE-së si vendi me performancën më të shpejtë dhe më të mirë në negociata. Deri më tani ishte Kroacia, në të gjithë rrugëtimin e anëtarësimeve në BE, vendi që ka pasur procedurën më të shpejtë në këtë proces.
Pas çeljes së gjithë grupkapitujve, një tjetër fazë do të shtrohet për rreth 1.500 ekspertët shqiptarë të grupeve të punës, të cilët, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, do të punojnë që procesi i përafrimit të legjislacionit të përmbyllet deri në vitin 2027, ku më pas do të pritet miratimi për anëtarësimin e plotë në BE. Rruga do të vijojë me ratifikim nga secili prej parlamenteve të vendeve anëtare, duke përllogaritur një periudhë deri në vitin 2030, ku pritet finalizimi i anëtarësimit të plotë. /RTSH/
Kalendari i çeljes së grupkapitujve të Shqipërisë:
15 Tetor 2024 — Themelorët (5 kapituj)
17 Dhjetor 2024 — Politikë e jashtme dhe siguri (2 kapituj)
14 Prill 2025 — Lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve (9 kapituj)
22 Maj 2025 — Digjitalizimi, taksa, edukim, industri (8 kapituj)
Qershor 2025 — Agjenda e Gjelbër, energjia, ndryshimet, financat buxhetore (4 kapituj)
Korrik 2025 — Pritshmëri për të mbyllur 5 kapitujt e fundit