Institutet albanologjike të Prishtinës, Tiranës e Shkupit thellojnë bashkëpunimin

Viti 2021 ka qenë një vit i frytshëm sa i përket thellimit të bashkëpunimit mes Instituteve Albanologjike të Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Kjo pasi këto tre institute kanë arritur një marrëveshje për veprimin si një trup i vetëm, për të punuar për plasimin në dritë të së vërtetës së gjuhës, kulturës e zakoneve shqipe. E për arritjen e këtij qëllimi këto institute kanë organizuar edhe takime të përbashkëta në tre kryeqendrat e shqiptarëve.

Për nder të Javës së Albanologjisë, për vizitë Institutit Albanologjik në Prishtinë, i erdhën dy mysafirë të veçantë.

Për të dëshmuar transformimin e Instituteve Albanologjike të Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit në një të vetëm, përpos drejtorit Hysen Matoshi në ballë të konferencës dolën edhe përfaqësuesi nga Tirana, Valter Memishaj dhe ai nga Shkupi, Skënder Asani.

E këtij bashkimi i parapriu një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar.

“Nga viti i kaluar ne kemi një bashkëpunim të kornizuar, në bazë të një marrëveshje trepalësh ndërmjet Institutit Albanologjik, Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni, dhe kemi hartuar edhe një program vjetor të punëve të përbashkëta që do t’i organizojmë gjatë këtij viti”, ka thënë Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik.

Skënder Asanit nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se ky bashkim do të ndikojë në plasimin e të vërtetave të Shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

“Ky bashkëpunim do të kulminojë pikërisht që së bashku të dalim në tregun botëror, dhe t’ia plasojmë të vërtetën historike, gjuhësore të popullit shqiptar, sepse dihet fort mirë nga e kaluara por edhe tash ka investime të jashtëzakonshme të popujve përreth nesh që të ç’bëjnë etnokulturën tonë”, është shprehur Skënder Asani, drejtor i ITSHKSH-së.

E zëvendësrektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Valter Memishaj, ka thënë se do të ketë një takim të përbashkët në tre kryeqendrat shqiptare.

Por, përpos bashkimit të Instituteve, Memishaj ka edhe një kërkesë të veçantë.

“Hapja e panaireve në konceptin e rotacionit, një ditë apo disa ditë në Tiranë pastaj në Prishtinë dhe mandej në Shkup e prezanton këtë libër pastaj e qon më afër përdoruesit jo vetëm shkencor por edhe qytetarit të thjeshtë. Është koha që të kemi një Universitet mbarëkombëtar, është koha që duhet të kemi shkolla të mesme elitare jo të Kosovës apo të Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut apo të Malit të Zi, po duhet të kemi shkolla mbarëkombëtare”, ka thënë Valter Memishaj, ASA Tiranë.

Nga këto tre institute u njoftua se në muajin nëntor do të ketë takime të përbashkëta, të cilat do të realizohen në Prishtinë, Tiranë e Shkup, të cilat do të përforcojnë bashkëpunimin mes tre Instituteve Albanologjike.

Gjatë kësaj jave shumë studiues të gjuhës, letërsisë e zakoneve shqipe do të kenë mundësi të prezantojnë punimet e tyre.

Ndërkohë, drejtori i Institutit Albanologjik, vitin që lamë pas e ka konsideruar si të suksesshëm sa i përket botimeve dhe punës së bërë nga ky institut.

Edicioni i 13-të i javës së Albanologjisë, prezantohen punimet e albanologëve

Të hënën e gjashtë qershorit në Institutin Albanologjik të Kosovës ka filluar edicioni i 13-të i Javës së Albanologjisë.

Gjatë kësaj jave shumë studiues të gjuhës, letërsisë e zakoneve shqipe do të kenë mundësi të prezantojnë punimet e tyre.

Shkrimtarë e studiues të gjuhës, letërsisë e zakoneve shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, u bënë bashkë tek Instituti i Albanologjisë në Prishtinë.

Arsye e këtij takimi dhe konference të mbajtur brenda hapësirave të këtij institucioni u bë fillimi i javës së Albanologjisë.

Shefi i degës së Gjuhësisë të këtij instituti Naim Berisha, thotë se ky aktivitet është i ndarë në 5 seksione.

“Java e albanologjisë është aktiviteti kryesor i institutit, aktivitet i përvitshëm, tashmë tradicional, ky është edicioni i 13-të sivjet në vitin 2022… Konferenca e sivjetme i zhvillon punimet në 5 sesione në ditë të ndara. Përveç seancës solemne, sot i zhvillon punimet edhe sesioni i gjuhësisë, tema bosht i është kushtuar 40 vjetorit të revistës “Gjuha Shqipe”, pra një vit jubilar për këtë revistë, pastaj nesër e kemi degën e letërsisë, dega e historisë e kështu me radhë”, ka thënë Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë.

Ndërsa, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi ka thënë se gjatë kësaj jave albanologët do të kenë mundësi t’i prezantojnë punimet e tyre.

“Sivjet mbahet edicioni i 13 i saj, dhe në këtë konferencë punimet e tyre i paraqesin studiues, albanologë të institutit, të institucioneve tjera të Kosovës dhe të rajonit nga të gjitha disiplinat albanologjike, pra nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia”, është shprehur Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik.

Punën e Institutit gjatë harkut kohor prej një viti, Matoshi e konsideron të suksesshëm, pasi sipas tij nga ky institut ka dalë një numër i kënaqshëm i botimeve.

“Gjatë këtij viti janë botuar 30 vëllime me revista shkencore, me monografi, me përmbledhje të punimeve albanologjike, me materiale të tjera albanologjike, me katalogë e kështu me radhë, që do të thotë është një vit disi i suksesshëm në planin e prurjeve të reja”, shtoi Matoshi.

Ky është viti i 13-të i organizimit të këtij aktiviteti, i cili zanafillën e ka në vitin 2009, vit në të cilin ishte mbajtur edicioni i parë. /PortaliD/

Read Previous

Kievi: 32 gazetarë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

Read Next

​Komisioni për Punë të Jashtme takohet me ambasadoren kroate, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE