Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) për vitin 2023, një analizë e rëndësishme që mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material e social të familjeve shqiptare.
Kjo anketë shërben si një tregues i rëndësishëm për monitorimin e varfërisë dhe shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri, duke pasqyruar objektivat e agjendës së Europa 2030.
Sipas raportit, në vitin 2023, rreziku për të qenë i varfër ka qenë 19,7 për qind, duke pësuar një ulje të ndjeshme prej 0,9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022.
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person është vlerësuar në 270.565 lekë, një rritje e konsiderueshme nga kufiri prej 225.931 lekësh i vlerësuar një vit më parë.
Rreth 545 mijë e 400 individë janë vlerësuar të jetojnë nën këtë kufi, krahasuar me 576 mijë e 316 individë në vitin 2022, duke shënuar një ulje prej rreth 5,4 për qind.
Raporti vë në dukje gjithashtu përmirësime të tjera në treguesit e mirëqenies. Shkalla e thelluar e privimit material dhe social, një matës i popullsisë që nuk përballon të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategori të nevojave bazë, ka rënë nga 37 për qind në vitin 2022 në 34.8 për qind në 2023.
Ky është një tregues pozitiv për përmirësimin e kushteve të jetesës në vend.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me individët e grupmoshës 18–64 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët punësimi. Në vitin 2023, ky tregues është ulur në 9.3 për qind nga 10.4 për qind në vitin 2022, duke reflektuar një rritje të angazhimit në tregun e punës.
Një tjetër indikator kyç është rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social, i njohur si AROPE, që përfshin individët e varfër, të privuar materialisht/socialisht, ose ata që jetojnë në familje me punësim shumë të ulët.
Ky tregues ka rënë nga 44.5 për qind në vitin 2022 në 42.1 për qind në 2023, duke treguar përparim të qëndrueshëm drejt qëllimeve të agjendës Europa 2030.
Një aspekt domethënës i këtij raporti është ndikimi i përfitimeve sociale në uljen e varfërisë. Pa përfitimet sociale, përfshirë pensionet dhe ndihmat, 36,4 për qind e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë e varfër.
Nëse në të ardhurat familjare do të përfshiheshin vetëm pensionet, por jo ndihmat e tjera sociale, rreziku për varfëri do të ishte 23,3 për qind. Kjo tregon qartësisht rëndësinë e politikave sociale në përmirësimin e nivelit të jetesës dhe zvogëlimin e varfërisë në vend.
Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të qartë të gjendjes ekonomike dhe sociale të popullsisë shqiptare dhe nënvizojnë nevojën për politika të qëndrueshme për të adresuar varfërinë dhe për të promovuar mirëqenien e përgjithshme. /Albanianpost.com