Ilir Meta do të rikthehet në LSI pas përfundimit të mandatit si president

Ilir Meta do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, por më 24 korrik 2022, pikërisht ditën kur zyrtarisht i mbaron dhe mandati për president.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi përmes një shkrimi në Facebook.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta falënderon kryetaren e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”, shkruan Blushi.

Ai thotë se Meta më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së.

“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, tha ai.

Zyrtarisht presidentit Ilir Meta i mbaron mandati më 24 korrik 2022. /Telegrafi/

Read Previous

Olivier Giroud nuk do ta vazhdojë kontratën me Chelsea

Read Next

Demush Shasha: Vizita e Kurtit në Bruksel dëshmi se dialogu është prioritet