Igli Hasani: Shqipëria synon të afrojë datën e anëtarësimit në BE

Autoritetet shqiptare janë vënë në punë për të afruar datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian pas aprovimit të agjendës së reformave nga Komisioni Evropian.

Kështu bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë intervistës me transmetuesin “Alsat”.

“Shqipëria ka një plan pune të përcaktuar me Komisionin Evropian me mënyrën se si do të hapen grup-kapitujt, kur do të mbyllen dhe si do të vazhdojë puna që është i detajuar dhe i qartë dhe jemi të dakordësuar në të gjitha aspektet. Unë këtë plan e shoh të realizueshëm në tre-katër vitet e ardhshme”, u shpreh fillimisht kryediplomati.

Më pas, shtoi ai, vjen dhe njëherë negociata politike që duhen bindur politikisht parlamentet e vendeve anëtare të BE-së që Shqipëria është gati.

“Kjo do një vit e gjysmë, dy vjet. Prandaj 2030 jo vetëm është reale, jo vetëm është aty, por ne na bën gjithnjë e më shumë optimistë që thjesht duhet të përshpejtojmë agjendën e reformave të cilat kemi marrë përsipër në mënyrë që kjo datë edhe të afrohet”, garantoi zyrtari shqiptar.

Sipas tij, momenti pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga gjithë rajoni duke thënë gjithashtu se “nuk ka pasur një çift që është ndarë dhe divorcuar me letra”, sa i përket shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimit.

“Fjala ‘ndarje’ apo ‘bashkim’ ka qenë më shumë kombinim politik, sesa një realitet. Të dy vendet kanë pasur dhe kanë një rrugëtim të caktuar teknik, për sa i përket marrëdhënies me Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian. Çdo vend kandidat ka rrugën e tij, dhe Shqipëria javën e kaluar më së fundi hapi grup-kapitullin e parë të negociatave me BE-në”, vijoi më tej Igli Hasani.

Në përmbyllje, ai deklaroi se fakti që tashmë kemi një rrugë të mirë-përcaktuar është jo vetëm “një sukses i madh, por diçka që ne e prisnim prej kohësh”.

Grup-kapitujt

Takimi i dytë i Konferencës së Aderimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në nivel ministror u zhvillua të martën e 15 tetorit në Luksemburg, duke shënuar përparim në përpjekjen e saj të gjatë për t’u bashkuar me bllokun prej 27 vendesh.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shqipëria hapi Klasterin 1, të përbërë nga pesë kapituj negociues, me Bashkimin Evropian në konferencën e saj të dytë ndërqeveritare.

Në këtë mënyrë, u bë vendi i tretë kandidat i Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi dhe Serbisë, i cili hapi kapitujt e negociatave.

Shqipëria hapi zyrtarisht bisedimet e pranimit së bashku me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022.

Më në detaje

Zyra për shtyp e Këshillit të BE-së sqaroi në fund të konferencës ndërqeveritare se Unioni vendosi gjithashtu standarde të përkohshme.

Këto, si në nivelin horizontal për grupin, ashtu edhe për kapitujt 23 dhe 24 (kapitujt e sundimit të ligjit) të cilët do të duhej të përmbusheshin përpara se të ndërmerren hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të këtij grupi.

Përveç kësaj, BE-ja vendosi standarde për mbylljen e përkohshme të kapitujve 5, 18 dhe 32, shtoi Këshilli i BE-së.

“Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave. Konferenca e anëtarësimit do t’i kthehet këtij grupi në një moment të përshtatshëm”, shkruan në përmbyllje zyra për shtyp e institucionit evropian.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u dakordësuan më herët për të hapur kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Shqipëria vendosi të hapë pesë kapituj të anëtarësimit (të ashtuquajturit bazat) më 15 tetor, duke ndarë rrugën me RMV-në, të cilën e kishte pikënisur në verën e vitit 2022.

Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria si dhe kontrolli financiar.

Bëhet fjalë për kapitullin e parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në Union.

Kapitujt e Cluster 1

Ky grup përbëhet nga pesë kapituj, të cilët do të hapen njëkohësisht, duke qenë kapitujt e parë të hapur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar.

Kapitulli 23 mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat e Njeriut synon të arrijë një sistem gjyqësor të paanshëm dhe efikas që garanton sundimin e ligjit dhe zbatimin efektiv të tij.

Ai synon gjithashtu të garantojë një proces të rregullt bazuar në parimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky kapitull përbëhet nga funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.

Pas tij vjen Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, i cili synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.

Ai kërkon nga Shqipëria një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirë-integruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme.

Pjesa më e detajuar dhe më e rëndësishme është acquis i Shengenit, i cili përfshin heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, migrimi i ligjshëm dhe i parregullt, azili dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile janë disa nga çështjet e tij.

Kapitulli tjetër ai numër 5 – Prokurimi Publik – bazohet në respektimin e parimeve të përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë në lidhje me dhënien e kontratave publike në sektorë të veçantë.

Sakaq, kapitulli 18 mbi Statistikat kërkon respektimin e disa parimeve bazë të institucionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale si dhe publikimi periodik i statistikave zyrtare bazuar në rëndësinë e tyre për shtetin dhe individin.

Kapitulli i fundit është ai i Kontrollit Financiar, i cili fokusohet në kontrollin e brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit.

Aspekti unik i këtij kapitulli është se ai kërkon një organ auditimi të jashtëm të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlamentin kombëtar në lidhje me përdorimin e fondeve publike. /Albanianpost.com

Read Previous

Rama për pensionet: Kemi trashëguar një situatë të vështirë, të mos shmangen sigurimet

Read Next

Ferrari përfiton nga rivaliteti Norris-Verstappen, dy fitore radhazi në Amerikë dhe Meksikë