Shqipëria përmbyll me sukses Presidencën e saj të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (#SEECP) për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, me moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Sot, Tirana u bë sërish qendër e diplomacisë rajonale, duke mirëpritur krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë nga 13 vende pjesëmarrëse në Ministerialin përmbyllës.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria është fokusuar në tre prioritete: forcimin e bashkëpunimit politik, përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rezultate konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij hapëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Igli Hasani, theksoi rolin aktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe në përshpejtimin e integrimit evropian.
Ai rikujtoi se gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka drejtuar me sukses pesë presidenca rajonale dhe ndërkombëtare: Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, Kartën e Adriatikut, Nismën e Evropës Qendrore, Nismën për Azil, Migracion dhe Refugjatë, si dhe vetë SEECP-në.
Ministri Hasani nënvizoi se bashkëpunimi rajonal forcon themelet për anëtarësimin në BE — një hap i domosdoshëm dhe plotësues për të ardhmen e rajonit.
Ai tha se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces politik, por një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën.
“Besojmë që zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces politik, por është një investim strategjik në stabilitet dhe paqe për të të gjithë Evropën”, theksoi ai.
Duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, Ministri Hasani shtoi se po punojnë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian përpara fundit të kësaj dekade
“Me hapjen e katër grup-kapitujve të negociatave, Shqipëria është në rrugën e duhur dhe e angazhuar plotësisht për të çuar përpara procesin tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Synimi ynë është ambiciozë, por unë mendoj edhe i arritshëm për të hapur të gjithë grup-kapitujt deri në fund të këtij viti, dhe të përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësim të plotë në BE përpara fundit të kësaj decade”, tha Hasani.
Po ashtu, ai përmendi organizimin në Tiranë të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian më 16 maj 2025, si një moment kyç për dialogun mbi sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Evropë.
SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë. Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. /KosovaPress/