Hungaria do të votojë kundër draft-rezolutës së propozuar për gjenocidin në Srebrenicë në seancën e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që pritet të mbahet më 23 maj.
Kështu të paktën ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarito, në një konferencë për media me presidentin ultra-nacionalist të Republikës Sprska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik.
Szijarito ndërsa ka arsyetuar pozicionin e Hungarisë ka potencuar se kjo draft-rezolutë “me dashje apo pa dashje demonizon gjithë popullin serb për tragjedinë në Srebrenicë”.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten e 23 majit ka caktuar seancën e radhës për të shqyrtuar draft-rezolutën e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë.
Draft-rezoluta ka për qëllim të shpallë 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.
OKB-ja, siç thuhet në draft-rezolutë, dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme.
Gjermania dhe Ruanda janë sponsorizueset e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, pasi këto dy shtete bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës për Srebrenicën.
Më pas, 32 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara u bënë bashkësponsorizuese, si vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të OKB-së.
Për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8 mijë e 372 boshnjakë, dhe për krimet e tjera të kryera në këtë rajon, më shumë se 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim./Albanianpost.com