Hungaria ka bllokuar ndihmën ushtarake me vlerë rreth gjysmë miliardë euro për Ukrainën si pjesë e pakos financiare të Fondit Evropian të Paqes (EPF), tha një burim i lartë diplomatik nga BE për FM të Polonisë.
Shtetet anëtare të BE-së do të përpiqen të bindin Budapestin të ndryshojë qëndrimin e saj të hënën gjatë një takimi të ministrave të jashtëm.
Më parë, Hungaria abstenoi nga votimi në favor të mbështetjes së EPF-së por nuk e kishte bllokuar atë.
Megjithatë, në dhjetor, Hungaria bllokoi 18 miliardë euro ndihmë makro-financiare për Ukrainën. BE-ja gjeti përfundimisht një mënyrë për të dërguar paratë. Një plan i ngjashëm rezervë thuhet se është tani mbi tavolinë.
“Është e vështirë për një shtet të vogël pro-rus që ka përjashtime nga të gjitha sanksionet të diktojë pozicionin e të gjithë BE-së”, tha diplomati.
Hungaria shkaktoi zemërim shtesë në vendet e Bashkimit Evropian, sepse dëshiron të heqë disa oligarkë rusë nga lista e zezë e sanksioneve të BE-së, pa asnjë shpjegim.
“Është si të kërkosh amnisti për dikë që është dënuar, sepse ata që janë në listën e zezë janë në të sepse ka prova për këtë”, thotë një diplomat i BE-së.
Ndihma e BE-së dhe shteteve të saj anëtare për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus arrin në një total prej 50 miliardë eurosh, sipas një raporti të Këshillit Evropian.
Falë EPF-së, BE-ja ka mbështetur Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes gjashtë paketave të njëpasnjëshme mbështetëse deri më tani, si dhe shumë vende të tjera si: Mozambiku, Gjeorgjia, Republika e Moldavisë, Republika e Malit, Somalia, Nigeri, Bosnja dhe Hercegovina, Libani dhe Mauritania. /Albanianpost.com