Humbja e Interit në Superkupë, Sacchi: Vazhdoj të mendoj se zikaltrit kanë skuadrën më të mirë në Serie A

Duke folur si zakonisht për “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i njohur Arrigo Sacchi analizoi pasojat e humbjes së Interit të Inzaghit në Superkupën Italiane. Ja çfarë tha ai: “Goditjen e morën, madje mjaft të fortë, por vazhdoj të mendoj se zikaltrit kanë skuadrën më të mirë në Serie A.

E rëndësishme është t’i kuptohen gabimet, t’i korrigjosh dhe të rikthehesh menjëherë në rrugën e duhur. Për rezultatin në Rijad kundër Milanit kam krijuar këtë ide: pas golit të dytë, zikaltërit menduan se e kishin fitoren në xhep dhe u shthurën paksa, pikërisht në momentin kur kuqezinjtë, të gjallëruar nga ‘kurimi’ i Conceiçaos, rritën ritmin dhe morën terren.

Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se Interi është në krizë apo se duhet të hapim gjyqe. Mos bëni shaka. Përkundrazi, tani, pikërisht nga kjo humbje (ndoshta e papritur, dakord, dhe për këtë arsye më e dhimbshme), duhet të gjenden energjitë, fizike dhe mendore, për të rifilluar garën. Interi është një skuadër e shkëlqyer, që ende ka nevojë të punojë për të arritur nivelet më të larta dhe për të qëndruar aty, si në Itali ashtu edhe në Europë.

Në pankinë ka një trajner si Simone Inzaghi, i cili ka treguar se di ta menaxhojë grupin shumë mirë. Është rritur jashtëzakonisht shumë, është bërë padyshim më i guximshëm dhe këtë guxim ia ka transmetuar skuadrës.

Prandaj nuk ka arsye për t’u shqetësuar, me kushtin që gabimet të kuptohen dhe të korrigjohen. Ndonjëherë mësohet më shumë nga një humbje sesa nga një fitore. Pas kësaj humbjeje të papritur duhet të rikuperohen energjitë fizike dhe mendore”. /Telesport.al/

Read Previous

Pse Donald Trump kërkon Groenlandën? Ja çfarë synon

Read Next

Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për terrorizëm