Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke folur për tensionet sporadike në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe rrezikut të shpërthimit të dhunës atje, ka thënë se e bën gjumin rehar duke e ditur se në këtë zonë ndodhen trupat amerikane në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).
“Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin SHBA-të këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë”.
Ai ka konfirmuar se dallimet midis Kosovës dhe Serbisë për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) janë ngushtuar kohën e fundit, posaçërisht pas takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në nëntor të këtij viti, porse ende duhet punuar në këtë drejtim.
Në një intervistë për televizionin “7” të enjten, ambasadori amerikan ka thënë se Kosova dhe Serbia janë më afër arritjes së mirëkuptimit rreth mënyrës më të mirë për zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. /Albanianpost.com