Hetimi i SPAK për Veliajn, Rama: Linçimi publik që po i bëhet është i neveritshëm

Kryeministri Rama është pyetur sot lidhur me hetimin që ka ndërmarrë SPAK ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Ai tha se nuk do të komentojë çështje që i takojnë institucioneve të drejtësisë, por e cilësoi linçim publik të neveritshëm atë që po i bëhet kreut të Bashkisë së Tiranës.

“Përkohësisht di që Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve.

Këtë e di me siguri. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim: unë nuk bëj komente për çështje që i takojnë institucioneve të drejtësisë. Deri sot ky është qëndrimi im. Mund të bëj komente për vendime të formës së prerë siç kam bërë për një shpifës recidiv. Sa i përket rastit konkret nuk bën përjashtim. Linçimi publik i kryetarit të Bashkisë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”, tha Rama. /Top-Channel/

Read Previous

Sa ish-presidentë amerikanë janë ende gjallë?

Read Next

“Bëra tetë transfuzione”, rrëfimi prekës i Mike Tyson