Shkumbin Lushaj, banor i fshatit Shaptej në komunën e Deçanit, është në mesin e më shumë se 1,500 personave që dyshohet se u helmuan nga uji i pijes në muajin korrik të këtij viti.
Ai është përballur me probleme shëndetësore për disa ditë rresht.
Që nga ajo kohë, Shkumbini thotë se nuk e di se cila ishte arsyeja e vërtetë që bëri që ai të kërkojë trajtim mjekësor.
Shpjegimet që i kanë dhënë institucionet duke përfshirë Komunën e Deçanit, Institutin e Kosovës për Shëndetësi Publike si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, nuk janë bindëse dhe të mjaftueshme për të.
“Hera e fundit kur kemi qenë të informuar ka qenë prej IKSHPK-së, kur ka thënë se shkaktar i helmimit kanë qenë bakteret e ‘Escherichia Colit’, edhe më rreth kësaj çështjeje, nuk dimë asgjë”, thotë Lushaj.
Lushaj thotë se kjo baktere ishte gjetur vetëm në njërin nga fshatrat e komunës së Deçanit edhe pse sipas tij, helmime të qytetarëve ka pasur më shumë në fshatrat e tjera.
Nga frika se ngjarja mund të përsëritet sërish, Lushaj thotë se shumë banorë nuk e konsumojnë ujin që vjen nga ujësjellësi.
“Ujin nga muaji korrik nuk e konsumojmë, sepse ka qenë vendim i Komunës së Deçanit dhe KRU-Hidrodrinit dhe tash obligohemi ose të mbushim ujin nëpër vende tjera, ku është uji më i pastër, ose ta blejmë”, thotë Lushaj.
Menjëherë pas shtimit të numrit të personave që kërkonin ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit, Komuna e Deçanit, kishte marrë vendim që uji i ujësjellësit në këtë komunë, të mos përdorej për pije.
Pak ditë më vonë, pas disa analizave të mostrave të ujit, ishte konstatuar se uji është i pijshëm.
Megjithatë, uji në ujëmbledhësin e fshatit Dranoc në këtë komunë, kishte rezultuar se ka prezencë të bakteries së E.Colit dhe ishte shpallur i papijshëm nga Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike.
/Telegrafi/