Haxhiu: Përmbyllja e Vettingut do të bëhet në gjysmën e dytë të vitit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, beson se procesi i Vettingut dhe ai për Byron për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së pajustifikueshme do të jetësohen në gjysmën e dytë të vitit 2023.

“Nëse 2021 nga marsi e tutje dhe 2022 na kanë shërbyer për të punuar koncept-dokumente për të hartuar dokumente për të hartuar dokumente të projekligjit, amendamentet kushtetuese qoftë për vettingun, qoftë për Byron për Konfiskim të Pasurisë, unë mendoj që të duhej të na gjente në jetësimin e këtyre reformave”, deklaroi Haxhiu.

Ajo në intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress ka theksuar se për procesin e Vettingut nevojitet edhe mbështetja e opozitës.

Mirëpo, kritika drejtoi ndaj opozitës të cilët e kanë dërguar në Kushtetuese, Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Reforma më e madhe që ka ndodh deri tani e që ka mund të jetësohet shumë më parë ka qenë reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovoës, madje e dini që atë e kemi bërë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias e kemi marr madje dhe opinionin e dytë për tu bindur sikurse për Byron se i kemi adresuar të gjitha rekomandimet, por pavarësisht kësaj opozita e ka dërguar në Kushtetuese”.

Për problemet që ka pasur më Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, ajo konsideron se këtyre institucioneve ju pengojnë reformat në sistemin e drejtësisë.

“Problemi më i madh që ata kanë është për shkak të reformës në drejtësi, në KPK për shkak të vettingut në radhë të parë të sistemit të drejtësisë dhe sa i përket vendimit për paga është për keqardhje qëndrimi i tyre bojkot shtetit, institucionet e drejtësisë nuk janë mbi Kushtetutën e shtetit”.

Ndryshe, procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore. 

/Albanianpost.com/

Read Previous

Ukrainasit pretendojnë se vetëm në një sulm janë vrarë apo plagosur mbi 500 ushtarë rusë

Read Next

Rritje masive e çmimeve pas vendosjes së euros në Kroaci