Ministrja e Drejtësisë Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e parandalimit dhe luftimit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke veçuar veprimet konkrete të Kosovës.
“Republika e Kosovës si pjesë e agjendës globale në luftën kundër Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm ka vendosur në objektivat e saja masa të shumta institucionale për parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një dukuri që nuk ka lënë pa prekur asnjë nga vendet tona, por edhe shumë më gjerë”, tha Haxhiu.
Më tej, Haxhiu shprehu përkushtimin e saj dhe të Kosovës në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Terrorizmit (2018-2023) e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së kundër terrorizmit, i cili dokument parasheh intervenimin institucional nga mekanizmat përgjegjës” theksoi ajo, duke shtuar edhe krijimin e Departamentit për Rintegrim si mekanizmi përgjegjës për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.
/KlanKosova/