Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu tha se partia ka dhënë propozimin e saj për kryeparlamentare. Megjithatë, kur u pyet se a mund të ndryshojë emrin, Haxhiu tha se ndoshta mund të ndodhë një gjë e tillë dhe se “opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës”.
Kështu u shpreh ajo pas dështimit të 37-të për konstituim të plotë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit.
“Sa herë të flisni për propozimin e Vetëvendosjes, ta merrni përgjigjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë propozimin e saj dhe në këtë drejtim ne nuk po flasim më për emrin, po flasim për Komisionin për votimin e fshehtë. Kushedi, ndoshta Vetëvendosja do ta ketë një qëndrim tjetër. Por, një herë po flasim për Komisionin për votimin e fshehtë. Por, opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës, por që është e rëndësishme që të vazhdojmë”, përfundoi Haxhiu.
E propozuara e LVV-së për kryeparlamentare foli edhe për deklaratat e kreut të partisë, Albin Kurti, i cili deklaroi se “opozita po ua zgjat mandatin”.
“Nuk e kam dëgjuar se çfarë ka thënë zotëri Abdixhiku, por e kam dëgjuar çfarë ka thënë kryeministri Kurti. Dhe kjo është e vërtetë, për faktin se me mungesën e vullnetit për të konstituar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e Qeverisë Kurti. Ju e dini që ne në mars e kemi përmbyllur mandatin tonë dhe jemi qeveri në detyrë por është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që pastaj të fillojnë afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ajo.
Sipas saj, problemi kryesor është që opozita ka vendosur që të vij në seancë por jo të votojë.
“Në vend që të kishim një përpjekje edhe nga ana e deputetëve të opozitës, madje edhe kryetarëve të partive opozitare që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, ne çfarë kemi parë siç edhe sot ndodhi, ata vijnë në Kuvend dhe nuk marrin fare pjesë në votim. Unë nuk e di nëse e keni pasur rastin që të pyesni deputetët e opozitës, shumë thjesht – pse vijnë në seancë?”, shtoi ajo.
Sot, konstituimi i Kuvendit ka dështuar për të tridhjeteshtatën (37) herë, dhe vazhdimi i seancës është caktuar të premten (më 27 qershor) në ora 11:00. /KosovaPress/