Harris: Do vazhdojmë mbështetjen ndaj Kosovës si vend demokratik e multietnik

Kandidatja për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga radhët e Partisë Demokratike, Kamala Harris, ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës si vend multietnik e demokratik, krejtësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

Këto komente, Harris i ka bërë në një letër që i ka dërguar komunitetit shqiptaro-amerikan, tri ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve (më 5 nëntor).

Mund të jetë një imazh i teksti

Letra është bërë publike nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, përmes një postimi në Facebook, të shtunën.

Në letrën e Harris-it thuhet se Shqipëria është një aleat i palëkundur në NATO, dhe “unë jam mirënjohës ndaj saj për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia”.

Zëvendës-presidentja amerikane potencon se Shtetet e Bashkuara “kanë udhëhequr gjithashtu përpjekjet për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës”, por edhe ka bërë të qartë se SHBA-të “vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar”.

Sa i përket rolit të shqiptarëve të Amerikës, Zëvendës-presidentja amerikane thekson se kanë dhënë “kontribute të paçmueshme për kombin tonë për breza të tërë, duke sjellë me vete një përkushtim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe kërkimit të lirisë”.

“Me qindra mijëra shqiptarë-amerikanë të vendosur në Shtetet e Bashkuara, forca e tyre vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”.

Shqiptarët e Amerikës, sipas Harris-it, “kanë ndikuar në strukturën shoqërore të vendit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin sipërmarrës, vlera të forta familjare dhe përkushtim të thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar”.

“Nga pronarë biznesesh të vogla te profesionistë në fusha si mjekësia, ligji dhe shërbimi publik, ata kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe në forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave të panumërta në të gjithë vendin”.

Në këtë letër drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan, kandidatja për presidente përmend edhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe mbështetjen që shteti që Harris synon të drejtojë i kishte dhënë Shqipërisë në momentet deçizive të saj sa i përket shtetësisë.

“Për më shumë se një shekull — që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore — amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Shqiptarët e Amerikës e kujtojnë ende se ishin Shtetet e Bashkuara që mbështetën pavarësinë e Shqipërisë në atë moment vendimtar”, rikujton ajo.

“Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, potencon tutje.

Zëvendës-presidentja thotë se i kupton sfidat unike që përballen shumë shqiptaro-amerikanë dhe “angazhohem për politika që mbështesin komunitetin shqiptar-amerikan, duke përfshirë krijimin e një ekonomie të mundësive dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë”.

“Pjesëmarrja e shqiptarëve-amerikanë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta. Faleminderit për gjithçka që jepni për këtë vend të madh”, shkroi Harris ndër të tjera.

Ndryshe, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor. Kandidatët kryesorë janë Kamala Harris nga radhët e Partisë Demokratike dhe Donald Trump nga radhët e Partisë Republikane.

Zgjedhjet në ShBA zgjojnë interes të jashtëzakonshëm edhe në Kosovë, duke qenë se është aleati kryesor dhe mbështetësi më i madh.

Për Kosovën është tejet e rëndësishme se kush do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në këtë fazë dhe qasjes që do ta ketë, më së shumti për shkak të problemeve ende të pazgjidhura me Serbinë./Albanianpost.com

Read Previous

Afrohet një front i ftohtë ajror!

Read Next

Kush kryeson në sondazhe, Trump apo Harris?