Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas situatës së krijuar në komunën e Pejës si pasojë e vërshimeve atje, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të krijojë një fond emergjent.
“Vizitova sot qytetin e Pejës, për të parë nga afër situatën e krijuar pas vërshimeve. Ndamë dhimbjen me familjen Ademaj, e cila humbi më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, ka thënë fillimisht Haradinaj.
“Ftoj Qeverinë e Kosovës dhe institucionet relevante për mobilizim të menjëhershëm duke ndarë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë të gjitha familjeve të cilat pësuan nga këto vërshime”, shtoi kreu i AAK-së.
Ndryshe, një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte” të komunës së Pejës, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.
/albanianpost/