Hakerët italianë mund të kenë synuar edhe policinë shqiptare

Databaza e policisë shqiptare mund të jetë përshkuar nga agjencia hetimore “Equalize srl” në pronësi të presidentit të “Fondazione Fiera Milano”, Enrico Pazzali dhe administruar nga ish-superpolici italian Carmine Gallo.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta italiane “Corriere della Sera”, duke shtuar se detajet u zbuluan nga publikimi i përgjimeve më të fundit.

Pazzali është presidenti i Fondacionit Fiera dhe aksioneri mazhoritar i Equalize srl, kompanisë hetimore së uritur për dosje dhe përgjime.

Ai është një figurë e spikatur në panoramën milaneze, i njohur për rrjetin e tij të gjerë të kontakteve dhe afërsinë me zonën politike të qendrës së djathtë, brenda së cilës ka kultivuar lidhje të rëndësishme, duke përfshirë një miqësi të gjatë me Ignazio La Russa.

Carmine Gallo ka një karrierë tridhjetëvjeçare mbi supe në luftën kundër krimit të organizuar.

Si zëvendësmenaxher i seksionit të krimit të organizuar të skuadrës lëvizëse të Milano-s, ai u specializua në luftimin e ‘Ndrangheta-s në Italinë e Veriut, duke ndërtuar një rrjet të gjerë informatorësh dhe menaxhuar operacione me rrezik të lartë.

Pak para arrestimit të Gallo-s është zbuluar komunikimi me një prej bashkëpunëtorëve të tij, një ish-polic shqiptar 50-vjeçar, Artimond Jaupaj, banues pranë Varese-s.

Në vitin 2022, për shembull, ishte Jaupaj i cili drejtoi “6-7 burra në dy ekipe” të punësuar për të ndjekur dhe regjistruar në mënyrë të paligjshme bankierin e JP Morgan, Alessandro Gatto, në restorant, shkruan gazeta italiane.

Mes tyre, madje është shkëmbyer një email më 11 shtator me emrat e katër shqiptarëve, për t’i kërkuar “nëse kanë lidhje me krimin e organizuar”.

Jaupaj i premton që do t’i dërgojë emrat tek “kontaktet e tij në Shqipëri” për t’i kontrolluar duke hyrë në sistem.

Gallo e falenderon dhe i bën të qartë se do të paguajë shërbimin.

Biseda “veçanërisht interesante” për prokurorin italian Francesco De Tommasi është për t’i bërë njerëzit të kuptojnë “eksfiltrimin (vjedhjen e të dhënave – ed) e mundshëm nga databazat e policisë në Shqipëri”. /Albanianpost.com

Read Previous

F1, Leclerc: Në Las Vegas për një fitore të dyfishtë dhe t’i afrohemi titullit kampion për konstruktorë

Read Next

Irani dënon 3 persona me vdekje për vrasjen e një shkencëtari bërthamor