Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka reaguar të premten pas raportit të publikuar nga autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore, duke thënë se gjendja e tanishme humanitare në Rripin e Gazës është dështim i vetë njerëzimit, ka shkruar BBC.
“Kur duket se nuk ka më fjalë për të përshkruar ferrin që po përjetojnë njerëzit në Gazë, është shtuar edhe një tjetër: ‘uria’”, ka thënë Guterres.
Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është mister, por katastrofë e shkaktuar nga vetë dora e njeriut.
“Uria nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e ushqimit; mbi të gjitha ajo ka të bëjë me shembjen e qëllimshme të sistemeve që janë të nevojshme për mbijetesën njerëzore”, ka shtuar ai.
Shefi i OKB-së ka nënvizuar gjithashtu se Izraeli ka detyrime të qarta sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë detyrimin për të siguruar furnizime të rregullta me ushqim dhe ndihma mjekësore për popullatën.
“Nuk mund ta lejojmë këtë situatë të vazhdojë pa u ndëshkuar. Nuk ka më justifikime. Koha për veprim nuk është nesër – është tani. Kërkojmë armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe qasje të plotë dhe të pakufizuar humanitare”, është shprehur Guterres./koha.net/