“France Football” zbuloi të mërkurën në mbrëmje listën e ngushtë me 30 emra të nominuar për çmimin prestigjoz të Topit të Artë 2024. Mes emrave të super yjeve të futbollit binte në sy edhe ai i Granit Xhakës, mesfushori shqiptaro-zviceran i Bayer Leverkusen-it.
Xhaka, bëhet kështu vetëm shqiptari i dytë i nominuar në “top 30” për Topin e Artë. Por, kush ishte i pari?
Futbollisti i parë shqiptar që ka qenë i nominuar në 30 kandidaturat për Topin e Artë ishte Sokol Kushta në vitin 1987.
Sulmuesi asokohe luante për Flamurtarin e Vlorës. Karriera e tij do të përfshinte gjithashtu edhe klube si Partizani i Tiranës, Iraklis, Apollon Kalamarias, Olympiakos Nicosia dhe Ethnikos Achnas.
Në listën prej 30 emrash ku u përfshi Kushta, në vitin 1987, do të ishin gjithashtu emra të mëdhenj të futbollit si Ruud Gullit, Gary Lineker, Marco van Basten apo dhe Rudi Voller.
Çmimin e atij viti e fitoi holandezi Gullit me 106 pikë, i ndjekur nga dyshja spanjolle e Real Madrid-it Emilio Butragueno dhe Michel, me përkatësisht 91 dhe 61 pikë.
Kushta përfundoi në vendet e fundit me 1 pikë, po aq sa kishte Voller i Roma-s, Dimitris Saravakos i Panathinaikos-it, Glenn Hoddle i Monaco-s dhe Alessandro Altobelli i Inter-it.
Përsa i përketë Xhakës, ai nominohet pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusen-in. Graniti iu bashkua “Aspirinave” një vit më parë dhe në vetëm një sezon ai ka arritur formën maksimale.
Me Leverkusen-in, Xhaka arriti të fitonte Bundesliga-n si të pamposhtur, Kupën e Gjermanisë dhe arriti në finalen e Europa League.
Mesfushori luajti një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Zvicrës drejt çerekfinaleve të Euro 2024 këtë verë në Gjermani.
Dhe tani, sezoni i madh i Xhakës është shpërblyer duke u vendosur në 30 emrat e nominuar për Topin e Artë 2024.
Lista e Topit të Artë, Messi dhe Ronaldo jashtë për herë të parë në 21 vite
Tashmë janë zbuluar 30 emrat që do të garojnë për trofeun më prestigjoz individual në futboll, Topin e Artë 2024. Në listë, mungojnë emrat e dy fituesve absolut Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Dhe, kjo ndodh për herë të parë në 21 vitet e fundit.
Messi fitoi çmimin e “France Football” për të tetën herë vitin e kaluar, pas heroizmave të tij në drejtimin e Argjentinës drejt fitores së tretë të Kupës së Botës në Katar.
Por edhe pse ai fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën këtë verë, ylli i Inter Miamit, Messi nuk është nominuar për çmimin e vitit 2024.
Rivali i tij i madh Ronaldo gjithashtu është lënë jashtë, pavarësisht se shënoi 44 gola në të gjitha garat për Al Nassr sezonin e kaluar.
Është hera e parë që nga viti 2003 që as Ronaldo dhe as Messi nuk janë nominuar për këtë çmim.
Dyshja e Real Madrid-it, Vinicius Jr dhe Jude Bellingham, janë përfshirë të dy dhe janë ndër favoritët për të fituar pasi luajtën një rol integral në fitimin e La Liga-s dhe Champions League sezonin e kaluar të klubit.
Mesfushori i Manchester City-t dhe i Spanjës, Rodri është një pretendent pas një viti të madh ku ai ndihmoi klubin e tij të fitonte titullin në Premier League.
100 gazetarë nga e gjithë bota janë përgjegjës për votat, duke marrë parasysh “performancën individuale, vendosmërinë dhe impresionimin”, “performancën kolektive dhe historikun” dhe “klasin dhe lojën e ndershme”.
Fituesi do të shpallet më 28 tetor në një ceremoni të veçantë në “Theatre du Chatelet” në Paris. /Albanianpost.com
Lista e plotë për çmimet e Topit të Artë për meshkuj:
Antonio Rudiger – Real Madrid
Kylian Mbappe – Real Madrid
Lautaro Martinez – Inter
Ademola Lookman – Atalanta
Alejandro Grimaldo – Bayer Leverkusen
Dani Carvajal – Real Madrid
William Saliba – Arsenal
Lamine Yamal – Barcelona
Bukayo Saka – Arsenal
Hakan Calhanoglu – Inter
Rodri – Man City
Declan Rice – Arsenal
Harry Kane – Bayern Munich
Cole Palmer – Chelsea
Vitinha – PSG
Vinicius Jr – Real Madrid
Martin Odegaard – Arsenal
Dani Olmo – Barcelona
Florian Wirtz – Bayer Leverkusen
Mats Hummels – Roma
Erling Haaland – Man City
Nicolas Williams – Athletic Bilbao
Granit Xhaka – Bayer Leverkusen
Artem Dovbik – Roma
Toni Kroos – Real Madrid
Jude Bellingham – Real Madrid
Phil Foden – Man City
Ruben Dias – Man City
Federico Valverde – Real Madrid
Emiliano Martinez – Aston VIlla