Kosova ka shënuar fitore ndaj Izraelit në kualifikimet e Euro 2024.
Kombëtarja dardane ka triumfuar me rezultat minimal 1-0 ndaj izraelitëve në “Fadil Vokrri”.
Goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Milot Rashica në minutën e 41-të të ndeshjes.
Kjo është fitorja e dytë e Kosovës në këtë cikël kualifikues – e dyta radhazi, pas asaj paraprake ndaj Andorrës.
Pas ndeshjes, Gliha rreth fitores në kushtet e vështira tha: “Për mua nuk ishte një situatë e vështirë. Çdo situatë në futboll, është një situatë normale. Në këtë sport ka dy mundësi, ose të gjesh zgjidhje, ose të qash, unë nuk qaj kurrë, ndaj mundohem të gjej zgjidhje”.
“Sot ne kishim shumë raste për të gjetur golin, por në një fushë si kjo është e vështirë. Megjithatë kur krijon kaq shumë, do të thotë që ekipi është shumë mirë”, shtoi slloveni.
Gliha rreth futbollistëve të rinj që u paraqiten sonte me fanellën e “Dardanëve”, tha: “Më pëlqyen, pasi bënë shumë mirë. U duk qartë që u përshtatën shumë mirë”.
Kurse, për ndeshjen e ardhshme në udhëtim ndaj Zvicrës, që do të zhvillohet më 18 nëntor, Gliha deklaroi: “Do të jetë një ndeshje tjetër, ndryshe nga ajo sot. Çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe ne do të nisim punën për të përgatitur skuadrën mbi mënyrën si duhet të përballemi”.
Dardanët janë pa ndonjë gjasë kualifikimi, teksa tani arrijnë në kuotën e 10 pikëve në grupin I, e ranguar në pozitën e katërt.
Kosova dy ndeshjet e fundit të këtij cikli i zhvillon ndaj Zvicrës si mysafir më 18 nëntor dhe tre ditë më vonë pret në Prishtinë kombëtaren e Bjellorusisë, në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Evropian.
/GazetaSinjaliSport/