Pas përfundimit të pushimeve verore, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë javën tjetër do të mbajnë tri seanca, të gjitha në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjithsejtë gjatë muajit gusht Gjykata Speciale pritet të mbajë shtatë seanca gjyqësore në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është tejzgjatur duke thyer çdo rekord.
“Gjyqi më i gjatë penal në librin amerikan të rekordeve ‘Guinness’ zgjati 919 ditë. Themeluesit e UÇK-së dhe Republikës së Kosovës tashmë janë në paraburgim për mbi 1 mijë 400 ditë”, shkroi ai në platformën sociale, X.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas Selimit, përveç se është një “çoroditje e drejtësisë” është edhe “shkelje e rëndën e të drejtave të njeriut”.
Deri më tani në rastin e Thaçit dhe të tjerëve Gjykata Speciale ka dëgjuar vetëm 75 dëshmitarë.
Deri në përfundim të procesit, Specialja kishte njoftuar se pret të dëgjojë rreth 300 dëshmitarë në këtë rast.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.
Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.
Ndërsa të njëjtit ishin arrestuar nga Specialja në nëntorit e vitit 2020. /Albanianpost.com