Gjykata Kushtetuese shënon 17-vjetorin e themelimit me konferencë ndërkombëtare

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shënon 17-vjetorin e themelimit me organizimin e një konference ndërkombëtare, me temën “Roli i gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin demokratik të institucioneve”.

Konferenca mbahet sot, duke filluar nga ora 09:30, në Prishtinë, ku marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, akademikë, diplomatë dhe delegacione të nivelit të lartë nga gjykatat kushtetuese dhe supreme të disa vendeve evropiane.

Në hapje të konferencës, fjalë rasti mbajnë kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, si dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Stephan Harbarth, i cili është edhe folësi kryesor i konferencës.

Në këtë ngjarje marrin pjesë përfaqësues nga institucionet gjyqësore të Gjermanisë, Austrisë, Sllovenisë, Letonisë, Lituanisë, Bullgarisë, Turqisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të gjykatave supreme të Holandës dhe Estonisë.

Pjesë e konferencës janë edhe përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe të Asociacionit të Gjykatave Kushtetuese Frankofone.

Konferenca synon të vërë në pah rëndësinë e gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe sigurimin e funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është themeluar në janar të vitit 2009 dhe ka rol kyç në interpretimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e rendit kushtetues në vend. /RTKlive

Read Previous

Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi

Read Next

​Carrick kërkon falje pas turpërimit nga Como dhe zbulon të ardhmen