“The New York Times” zbulon “pazarin” Trump-Zelensky, çfarë përmban plani i presidentit të SHBA-së?

Presidenti amerikan, Donald Trump po përpiqet të bindë Ukrainën të pranojë një marrëveshje paqeje me Rusinë, e cila do të përfshinte lëshime territoriale në rajonin e Donbasit, në këmbim të përfitimeve të mundshme ekonomike për Kievin.

Lajmi raportohet nga gazeta amerikane “The New York Times”.

Sipas gazetës, Trump është i vendosur të bindë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të pranojë një marrëveshje, duke i argumentuar se vazhdimi i rezistencës për të mbajtur territoret e pushtuara në provincat lindore të Ukrainës nuk ia vlen.

Në këtë kuadër, administrata amerikane po i paraqet Kievit mundësinë e përfitimeve financiare dhe ekonomike në rast se Ukraina heq dorë nga kundërshtimet ndaj një marrëveshjeje paqeje.

Megjithatë, sipas raportimit të “The New York Times“, marrëveshja në fjalë do të hartohej kryesisht sipas kushteve të Rusisë, duke kërkuar nga Ukraina të bëjë lëshime lidhur me territoret në lindje të vendit.

Përpjekjet e Trump synojnë të çojnë palët drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, por çështja e territoreve mbetet një nga pikat më të ndjeshme të negociatave mes Moskës dhe Kievit.

Raportimi i gazetës amerikane nuk përbën konfirmim se Ukraina ka pranuar propozimin, ndërsa kushtet përfundimtare të një marrëveshjeje të mundshme mbeten të paqarta. /tvklan.al

Read Previous

Nafta arrin nivelin rekord në pesë muajt e fundit

Read Next

50 vjet nga debutimi i Maradonës, talenti i futbollit që magjepsi botën