50 vjet nga debutimi i Maradonës, talenti i futbollit që magjepsi botën

Më 20 tetor 1976, Diego Armando Maradona debutoi si futbollist profesionist në moshën 15-vjeçare, duke dhënë që në prekjen e parë të topit një shenjë të talentit të jashtëzakonshëm që do ta kthente në një nga legjendat më të mëdha të futbollit botëror.

Në ndeshjen mes Argentinos Juniors dhe Talleres de Córdoba, Maradona hyri në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Giacobettin. Ekipi i tij ishte në disavantazh 1-0, kur talenti i ri mori topin në mesfushë. Me një fintë të trupit, ai çorientoi kundërshtarin dhe më pas e kaloi topin mes këmbëve të tij, duke shkaktuar entuziazëm në tribuna.

Kundërshtari ndaj së cilit e kreu këtë veprim magjik ishte Juan Domingo Patricio Cabrera. Publiku reagoi me thirrjet “Olé”, ndërsa ajo prekje e parë paralajmëroi lindjen e një ylli të madh të futbollit.

Maradona ishte vetëm 15 vjeç, 11 muaj e 20 ditë. Atë ditë, Argentinos Juniors e humbi ndeshjen, por Diego nisi rrugëtimin drejt historisë. Në javët që pasuan, ai vazhdoi të luante për ekipin e parë dhe shënoi golat e tij të parë si profesionist, duke realizuar një dygolësh kundër San Lorenzo de Mar del Plata.

Para se të hynte në fushë, trajneri i Argentinos Juniors, Montes, e kishte pyetur nëse ndihej gati. Maradona nuk u përgjigj me fjalë, por vetëm e pa trajnerin në sy. Ishte përgjigjja e një futbollisti që do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit.

Më 20 tetor 2026 mbushen 50 vjet nga ai debutim që shënoi fillimin e një karriere të jashtëzakonshme dhe të një legjende që do të frymëzonte breza të tërë futbollistësh dhe tifozësh në mbarë botën. /tvklan.al

Read Previous

“The New York Times” zbulon “pazarin” Trump-Zelensky, çfarë përmban plani i presidentit të SHBA-së?

Read Next

Protesta në Tiranë, sërish përplasje mes protestuesve dhe policisë