Kuvendi mblidhet sot, këto janë pesë pikat që do të shqyrtojnë deputetët

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot (e enjte) seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00, me pesë pika në rend dite. Në mesin e tyre janë formimi i një komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe votimi i propozimit të Listës Serbe për përfaqësimin në komisionet parlamentare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në pikën e parë deputetët do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa në pikën e dytë do të kenë mundësi të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës për çështje të ndryshme me interes publik.

Pika e tretë parasheh pyetjet parlamentare, përmes të cilave deputetët mund të kërkojnë përgjigje dhe sqarime nga anëtarët e Qeverisë lidhur me punën dhe përgjegjësitë e tyre.

Në pikën e katërt është paraparë formimi i Komisionit Ad-Hoc, i cili do të merret me procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së.

Nga këto pozita, dy janë të përcaktuara për anëtarë nga komuniteti shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Ndërkaq, pika e pestë ka të bëjë me votimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Seanca do të zhvillohet në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Parashikimi i motit për të enjten

Read Next

Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi