Gjykata Kushtetuese shënon 17-vjetorin e themelimit me konferencë ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili mbahet sot në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi. Samiti zhvillohet në kuadër të përmbylljes së kryesimit malazez të këtij procesi, me fokus bashkëpunimin rajonal dhe avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në samit pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare. Në mesin e pjesëmarrësve janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Pjesë e samitit do të jetë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe udhëheqës politikë të vendit.
Pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit vjen në një periudhë kur Kosova po kërkon hapa konkretë nga institucionet evropiane për avancimin e procesit të integrimit në BE, përfshirë mbështetjen për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Një ditë para samitit, Kurti është takuar me komisioneren Marta Kos në Shën Stefan të Malit të Zi, ku kanë diskutuar për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe nevojën që përparimi demokratik i vendit të reflektohet në vendime konkrete nga Bashkimi Evropian.
Pas takimit, Kurti ka theksuar se institucionet plotësisht funksionale do t’i mundësojnë Kosovës përshpejtimin e reformave. Ai ka përmendur gjithashtu përfitimet që pritet të sjellë integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar se qytetarët, bizneset dhe diaspora do të kursejnë rreth 58 milionë euro në vit.
Në kuadër të diskutimeve për Procesin e Berlinit, kryeministri ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet vendeve të rajonit, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave, të cilën, sipas tij, duhet ta zbatojnë të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
Sipas agjendës paraprake, mbërritja zyrtare e liderëve dhe deklaratat për media janë paraparë të nisin në orën 09:30, ndërsa fillimi i Samitit të Liderëve është planifikuar për orën 10:20.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, lehtësimin e lëvizjes dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian. /RTKlive