Gjiganti anglez po e konsideron seriozisht transferimin e Donnarummas

Manchester City po monitoron me vëmendje situatën e Gianluigi Donnarummas te Paris Saint-Germain, në një kohë kur e ardhmja e portierit mbetet e pasigurt. 

Në mes të paqartësive për të ardhmen e portierit, Gianluigi Donnarumma ka qenë një nga figurat kyçe të Paris Saint-Germain në triumfin e parë historik në Ligën e Kampionëve këtë sezon. 

Portieri italian dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë rrugëtimit të klubit drejt këtij suksesi të madh, por e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë.  

Kontrata e 26-vjeçarit në ‘Parkun e Princave’ do të përfundojë brenda 12 muajve këtë verë, dhe deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje për rinovimin e saj. 

Pas fitores 5-0 të PSG-së ndaj Interit, Donnarumma shmangu pyetjet për të ardhmen e tij. Ai theksoi se fokusin e ka te performanca me Italinë në ndeshjet e radhës. 

“Nuk e di, do të shohim. Tani kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikimin në Botëror, kështu që duhet të jemi të përqendruar dhe të gatshëm, sidomos në Norvegji, që do të jetë shumë e komplikuar”, ka thënë Donnarumma. 

Donnarumma u transferua te PSG në vitin 2021 si lojtar i lirë nga Milani dhe që atëherë ka fituar katër tituj në Ligue 1 dhe një Ligë të Kampionëve. 

Interi është lidhur me një lëvizje ambicioze për të rikthyer Donnarumman në Serie A, ndërsa Manchester City po ndjek me vëmendje zhvillimet e situatës. 

Gazetari i Sky Sports, Gianluca Di Marzio, ka raportuar se ‘Qytetarët’ po konsiderojnë seriozisht një ofertë për portierin italian./Telegrafi/

Read Previous

Arrestohet shtetasi i Serbisë në veri

Read Next

Ushtrimi ‘Shpata e Artë 2025’, mbahet javën e ardhshme