Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBV), duke iu përgjigjur kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump, shkruan Gazeta Sinjali.
Trump ka kërkuar prej kohësh që partnerët e NATO-s të rrisin ndjeshëm kontributet e tyre për mbrojtjen. Fillimisht kërkesa ishte që vendet anëtare të shpenzonin 2% të PBV-së, por së fundmi ai ka përmendur shifrën 5%.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio në Turqi, ku do të zhvillohen bisedimet Ukrainë–Rusi, deklaroi: “Ne po e ndjekim atë”, duke iu referuar kërkesës së Trumpit.
Kancelari i ri, Friedrich Merz, ka theksuar se Gjermania synon të ndërtojë “ushtrinë më të fortë konvencionalisht në Evropë”, duke iu referuar Bundeswehr-it, të cilit aktualisht i mungon personeli.
Megjithatë, ministri i Mbrojtjes nga SPD-ja, Boris Pistorius, konfirmoi se nuk do të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak për momentin. Modeli aktual do të bazohet në shërbimin vullnetar, sipas modelit suedez.
Për rikthimin e rekrutimit të detyrueshëm nevojitet shumicë prej dy të tretash në Bundestag, të cilën qeveria nuk e zotëron. Partia e majtë Die Linke, me 64 anëtarë, është kundër. Ates Gürpinar nga kjo parti deklaroi: “Partia e Majtë refuzon shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pezullimi i rekrutimit në vitin 2011 ishte një sukses i madh”.
Ish-kancelari Olaf Scholz e ka kundërshtuar idenë e rritjes në 5%, duke thënë: “5% do të ishte mbi 200 miliardë euro në vit” dhe duke shtuar se buxheti federal “nuk arrin as në 500 miliardë euro”. Ai e konsideroi këtë të mundur vetëm përmes “rritje masive të taksave ose shkurtime masive për shumë gjëra që janë të rëndësishme për ne”.
Ndërsa Merz, gjatë fushatës, u shpreh se përqindja e PBV-së nuk është prioritet për të: “Qoftë nëse është 2, 2.5 apo 5%, për të qenë i sinqertë, kjo është vetëm e një rëndësie dytësore për mua”.