Gjermania planifikon të prezantojë një program vullnetar të shërbimit ushtarak gjashtëmujor, kanë bërë të ditur burime të njohura me planin, teksa Berlini zyrtar po përpiqet të trajnojë sa më shumë rezervistë dhe të forcojë mbrojtjen kombëtare për shkak të shqetësimeve për sigurinë nga Rusia.
Shtetet evropiane që janë njëkohësisht anëtare të NATO-s, po përballen gjithashtu me trysninë e presidentit amerikan, Donald Trump, për të investuar më shumë në fushën e mbrojtjes pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ka raportuar Reuters.
Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka synim të rrisë numrin e ushtarëve nga 180,000, sa janë aktualisht, në 260,000.
Autoritetet gjermane shpresojnë që programi vullnetar gjashtëmujor do të ndihmojë në dyfishimin e numrit të rezervistëve të trajnuar nga niveli aktual prej rreth 100,000, dhe që disa prej vullnetarëve do të vazhdojnë karrierën e tyre në shërbimin aktiv.
Në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes kanë refuzuar të komentojnë rreth kësaj çështje, kur u kontaktuan nga agjencia e lajmeve Reuters.
Pjesëmarrësit në programin e planifikuar, do të kenë mundësinë të zgjerojnë trajnimin e tyre për sigurinë e brendshme, për të marrë patentën e drejtuesit të kamionit ose për t’u trajnuar edhe si drejtues tankesh.
Sipas burimeve, janë planifikuar edhe konvikte të improvizuara që rekrutët të mund të trajnohen më afër shtëpisë.
Burimet e Reutersit kanë njoftuar se Pistorius dëshiron që legjislacioni të miratohet deri në fund të muajit të ardhshëm, përderisa rekrutët e parë do të fillojnë trajnimin nga maji i vitit 2026.
Gjermania kishte përfunduar programin e saj të mëparshëm lidhur me shërbimin ushtarak të detyrueshëm në vitin 2011. /Koha.net/