Që nga sulmet në shkallë të gjerë të Hamasit në tetor 2023, qeveria gjermane ka miratuar eksporte armësh me vlerë rreth 485 milionë euro (554 milionë dollarë) në Izrael, sipas Ministrisë së Ekonomisë.
Një letër nga sekretari i Shtetit Bernhard Kluttig, tregon se këto miratime mbulojnë periudhën nga 7 tetori 2023 deri më 13 maj 2025 dhe përfshijnë dërgesa armësh dhe pajisjesh ushtarake.
Mbetet e paqartë nëse qeveria e re, e cila mori detyrën më 6 maj, ka dhënë gjithashtu miratime për eksport.
Ministri i Jashtëm Johann Wadephul kohët e fundit vuri në pikëpyetje dërgesat e mëtejshme në një intervistë me gazetën “Süddeutsche Zeitung”, duke thënë se qeveria po shqyrton nëse veprimet në Rripin e Gazës përputhen me ligjin ndërkombëtar humanitar.
Ai shtoi se eksportet e ardhshme të armëve do të varen nga rezultati i këtij shqyrtimi.
Nikaragua ngriti një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë duke akuzuar Gjermaninë për bashkëpunim në gjenocid përmes eksporteve të saj të armëve.
Në prill 2024, gjykata hodhi poshtë kërkesën e Nikaraguasë për të ndaluar dërgesat, por nuk e hodhi poshtë çështjen tërësisht.
Ulrich Thoden, një ligjvënës i Partisë së Majtë i cili kërkoi të dhënat e armëve nga qeveria, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha eksporteve të armëve në Izrael, duke paralajmëruar se dërgesat e vazhdueshme mund ta implikojnë Gjermaninë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. /ATSH-DPA/