Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, një ditë pas protestave dhe barrikadave, situata është e qetë. Barrikadat janë tërhequr dhe qytetarët po mund të lëvizin lirshëm në rrugët e këtyre dy komunave të banuar me shumicë serbe.
Megjithatë, shenjat e dhunës janë ende të dukshme në rrugë, pasi dje qytetarët protestuan ndaj një aksioni të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.
Në protestat që pasuan këtë aksion u lënduan dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë të kësaj komune kërkuan ndihmë mjekësore. Ndërkaq, nën dyshimet për kontrabandë janë arrestuar tetë persona, shumica prej të cilëve shqiptarë.
REL ju sjell disa fotografi të bëra më 14 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Në rrugën pranë kësaj pompe të benzinës në Zveçan, shenjat e dhunës janë ende të dukshme. Qytetarët e kësaj komune, më 13 tetor protestuan kundër një aksioni të zhvilluar nga autoritetet e Kosovës, kundër kontrabandës. Policia e Kosovës tha se protestuesit kishin përdorur shok bomba, granata dore, mjete piroteknike e gjëra të forta, gjatë protestës së tyre.
Kjo rrugë në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut më 13 tetor u bllokua nga disa kamionë, që vendosën banorët lokalë. Kjo rrugë është një prej rrugëve që lidh pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.
Autoritetet në Kosovë thanë se operacioni i 13 tetorit nuk ishte i drejtuar kundër nacionaliteti, duke potencuar që shumica e të arrestuarve janë shqiptarë. Por, serbët në Mitrovicë të Veriut më 13 tetor e kundërshtuan këtë aksion dhe në përleshjet mes policisë dhe protestuesve, sipas autoriteteve shëndetësore, në këtë komunë ndihmë mjekësore kërkuan dhjetë persona.
Aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës u zhvillua edhe në Zveçan. Edhe në këtë komunë, qytetarët protestuan kundër këtij aksioni.
Në Mitrovicën e Veriut, barrikadat e vendosura nga banorët, që bllokonin qarkullimin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, u hoqën në orët e vona të 13 tetorit.
Doganat e Kosovës i kanë thënë REL se kontrabandë me mallra ka në tërë vijën kufitare të Kosovës, por ky fenomen është më prezentë në komunat në veri të Kosovës.
Barrikadat në magjistralen Prishtinë – Rashkë, përkatësisht në Rudar të Zveçanit, u hoqën në mbrëmjen e 13 tetorit./GazetaSinjali