Policia spanjolle po heton vdekjen e një 39-vjeçari, trupi i të cilit u gjet brenda një statuje të dinozaurit.
Autoritetet u njoftuan të shtunën pasi një baba dhe djali i tij vunë re një erë që buronte nga figura papier-mâché në Santa Coloma de Gramenet, një periferi të Barcelonës.
Ata më pas, kishin parë kufomën përmes një çarjeje në këmbën e dinozaurit Stegosaurus.
Policia tha se burri ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij kohë më parë, dhe se nuk dyshohet për ndonjë lojë të keqe.
Tre skuadra të zjarrfikësve dolën në vendin e ngjarjes pasi u zbulua trupi i të ndjerit, njofton BBC.
Media lokale raporton se burri – i cili nuk është emëruar – ka qenë duke u përpjekur të merrte një telefon celular që ai e kishte hedhur brenda statujës. Ai më pas kishte rënë brenda figurës dekorative dhe ka mbetur i bllokuar me kokë poshtë, në pamundësi për të kërkuar ndihmë.
Mirëpo policia spanjolle ende nuk ka konfirmuar se si burri përfundoi brenda dinozaurit dhe janë duke i pritur rezultatet e autopsisë së tij për të zbuluar se si ai vdiq.
Statuja dekorative është hequr nga vendi i saj jashtë ndërtesës kubike të qytetit, ku ishte përdorur për të reklamuar një kinema të vjetër.